Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të premten në Munih me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ka bërë të ditur zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Në njoftim thuhet se të dy diskutuan për sfidat globale, përfshirë sigurinë e zinxhirit të furnizimit, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe forcimin e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Sipas njoftimit, Rubio ka vlerësuar kontributin e Gjermanisë për Ukrainën.
“Sekretari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e fortë të Gjermanisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë më shumë se 76 miliardë dollarë ndihmë që nga viti 2022, dhe ka diskutuar për koordinimin e vazhdueshëm të përpjekjeve për rindërtim”, u tha në njoftimin e DASh-it.
Rubio dhe Merz gjithashtu ripohojnë rëndësinë e thellimit të partneritetit ShBA-Gjermani në të gjitha prioritetet kyçe.