Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se presidenti Donald Trump preferon diplomacinë në trajtimin e Iranit dhe se administrata aktualisht është e përqendruar te negociatat, raporton CNN.
Duke folur gjatë konferencës për shtyp në Bratislavë, përkrah kryeministrit sllovak Robert Fico, Rubio tha: “presidenti e ka bërë të qartë se ai preferon diplomacinë”.
“Tani, ne po merremi me klerikë radikalë shiitë… Po merremi me njerëz që marrin vendime politike, gjeopolitike mbi bazën e teologjisë së pastër, dhe është një çështje e ndërlikuar. Askush nuk ka qenë ndonjëherë në gjendje të arrijë një marrëveshje të suksesshme me Iranin, por ne do të përpiqemi”, shtoi Rubio.
Ai gjithashtu vuri në dukje se SHBA-ja është “e pozicionuar në rajon për një arsye të thjeshtë, dhe kjo është se ne e kuptojmë se mund të ketë kërcënime ndaj forcave tona në rajon”.
Rubio tha se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, do të udhëtojnë “për të zhvilluar takime të rëndësishme, dhe do të shohim si do të përfundojë kjo”.
Witkoff dhe Kushner pritet të zhvillojnë bisedime në Gjenevë të martën me një delegacion iranian përmes ndërmjetësve omanë mbi programin e pasurimit bërthamor të Iranit dhe rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë.
I pyetur nëse administrata do ta informonte Kongresin për ndonjë synim për të kryer sulme kundër Iranit, Rubio tha: “Ne gjithmonë do t’i respektojmë ligjet e zbatueshme të Shteteve të Bashkuara sa i përket përfshirjes së Kongresit në çdo vendimmarrje”.