Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës në Kosovë

Prishtinë | 24 Shk 2026 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe.

Me këtë rast thuhet se Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

“Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë’, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme