Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike për të gjithë të akuzuarit në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është privilegj, por detyrim ligjor i shtetit.
Ministria e Drejtësisë paska konfirmuar se ka anuluar disa vendime dhe ua ka ndalur kompensimin një pjese të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ky është interpretim i gabuar i ligjit.
Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike nuk është çështje vullneti politik dhe as privilegj që jepet apo hiqet sipas rrethanave apo ndryshimeve politike. Ai është detyrim ligjor i shtetit, i paraparë për të garantuar të drejtën për mbrojtje efektive dhe për një proces të rregullt.
Me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është miratuar edhe Ligji për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për personat e akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë këtyre Dhomave.
Qëllimi i këtij ligji është i qartë, garantimi i mbrojtjes juridike dhe sigurimi i mbështetjes financiare për personat e akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura për të gjitha veprat penale që janë nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Pra, çdo person, pavarësisht veprës për të cilën akuzohet, gëzon të drejtën që shteti, përmes Ministrisë së Drejtësisë, t’ia mbulojë shpenzimet e mbrojtjes, në përputhje me shumat dhe kriteret e përcaktuara me udhëzimet administrative përkatëse, të cilat janë ndryshuar dhe plotësuar disa herë.
Zbatimi selektiv apo interpretimi i gabuar i këtij detyrimi ligjor jo vetëm që bie ndesh me frymën e ligjit, por rrezikon të minojë besimin në institucione dhe vetë parimin e sundimit të ligjit.