Gërvalla, mes halucinacioneve politike dhe realitetit diplomatik!

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 16:12 | Nga Azdren Shala

Reagimi i Donika Gërvalla duket më shumë si një përpjekje për të ndërtuar një narrativë emocionale sesa një analizë e qëndrueshme politike.  Është e vështirë të merret seriozisht retorika e saj kur vetëm pak kohë më parë, ajo dhe qeveria që përfaqëson pranuan pasaportat serbe të lëshuara nga institucionet paralele në Kosovë, një veprim që realisht cenon sovranitetin dhe legjitimitetin institucional të vetë shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst, patriotizmi i sotëm tingëllon selektiv dhe i motivuar politikisht.

Sulmet ndaj Edi Rama për një editorial të përbashkët me Aleksandar Vučić shpërfillin një realitet të rëndësishëm gjeopolitik: përpjekjen për ta trajtuar Serbinë si një aktor që duhet të largohet nga ndikimi rus dhe të afrohet me Europën. Edhe nëse kjo strategji mund të jetë e debatueshme, ajo mbetet një qasje politike që synon stabilitetin rajonal dhe dobësimin e rolit të Rusisë në Ballkan. Të reduktosh këtë në “tradhti” është një thjeshtëzim i rrezikshëm.

Sipas logjikës që po promovohet nga Gërvalla dhe frymës së Lëvizja Vetëvendosje, krijohet përshtypja sikur vetëm Albin Kurti është shqiptari që mund të takohet me serbët dhe të dalë “fitimtar”.

Madje kjo tezë është ushqyer me një lloj halucinacioni politik, sikur çdo kontakt tjetër është domosdoshmërisht humbje. Por kjo narrativë, në dritën e zhvillimeve të fundit lidhur me njohjen e dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele serbe, vështirë se qëndron në këmbë—nëse mund të thuhej se qëndronte deri para një jave.

Më problematik është mesazhi që përcjell Gërvalla në thelb: ideja se çdo kontakt apo bashkëpunim me Serbinë është automatikisht humbje për shqiptarët. Kjo nuk është vetëm një qasje e vjetëruar, por edhe një shenjë inferioriteti politik. Diplomacia nuk funksionon mbi bazën e emocioneve apo komplekseve, por mbi interesa konkrete dhe strategji afatgjata.

Në vend që të demonizojë çdo përpjekje për dialog apo koordinim rajonal, Gërvalla do të duhej të reflektonte mbi kontradiktat e qëndrimeve të saj. Sepse nuk mund të predikosh sovranitet dhe dinjitet kombëtar në një moment, dhe në tjetrin të legjitimosh struktura paralele që e minojnë atë.

Të ngjashme