Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pret që politikat e Qeverisë së re të jenë më të parashikueshme dhe të ketë hapësirë për dialog.
Zeka kërkoi një klimë më gjithëpërfshirëse dhe dëgjime publike në mënyrë që edhe ata të kontribuojnë me rekomandimet e tyre në përmbajtjen e projektligjeve në të mirë të interesave kolektive.
“Shpesh jo [nuk janë të paparashikueshme], por kurdo që mungon dialogu, atëherë natyrisht, është e natyrshme të thuhet se çfarëdo vendimi i Qeverisë i cili merret në këto mbledhjet elektronike apo në mbledhjet e tjera mund të shihet si i tillë, domethënë i paparashikueshëm, meqenëse nuk ka pasur një mundësi që i njëjti të paralajmërohet më herët në një interaksion të drejtpërdrejtë me ne si përfaqësues të sektorit privat”, ka thënë Zeka në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Por, po duket që ka një frymë të re së paku nga një pjesë e ministrave të kabinetit aktual qeveritar”.
“Ne duhet të përfshihemi në të gjitha proceset dëgjimore ose dëgjimet publike që të kemi mundësi që përmbajtjen e këtyre projektligjeve pastaj ta ndikojmë, që t’i ofrojmë rekomandimet tona gjithëpërfshirëse që i përfaqësojnë interesat kolektive të ndërmarrjeve private në vend, siç e thashë, rekomandimet gjithëpërfshirëse. Kjo mbetet të shihet se si do të jetësohet në praktikë”, vijoi Zeka.