Në kuadër të konferencës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) me rastin e 10-vjetorit të themelimit, është mbajtur paneli i dytë i diskutimit me temën “Sistemet e vlerësimit të kredisë në praktikë: A mund ta transferojë të dhënat dhe teknologjia qasjen në financa në Kosovë?”, ku u trajtua mungesa e të dhënave të strukturuara si një nga barrierat kryesore për financimin më efikas të bizneseve, raporton Ekonomia Online.
Në këtë panel, drejtori ekzekutiv i ProCredit Bank Kosova, Visar Paçarada, tha se sektori bankar në Kosovë është stabil, likuid dhe i kapitalizuar mirë, por problemi kryesor mbetet mungesa e informacionit të strukturuar dhe granular për bizneset.
“Sektori bankar është shumë stabil. Është mjaftueshëm likuid dhe i kapitalizuar mirë. Pra, për ne kufizimet nuk janë as kapitali, as likuiditeti, por mungesa e informacionit, mungesa e informacionit strukturor dhe granular, si dhe qasja në një informacion të tillë. Duke u kthyer te pyetja juaj, do ta ndaj në dy pjesë. Nga perspektiva e financimit: cili është burimi kryesor i të dhënave financiare dhe të dhënave të tjera të nevojshme për financim? Sado ironike të tingëllojë, në një vend me 99% penetrim të internetit, me popullatën më të re në Evropë, dhe duke mos folur për transaksionet përmes e-banking që janë 99%, burimi kryesor mbeten ende vetë klientët”, tha ai.
Ai shtoi se mënyra aktuale e shkëmbimit të të dhënave mbetet e fragmentuar dhe shpesh joefikase, duke krijuar vonesa në procesin e vlerësimit të kredive.
“Ne u kërkojmë klientëve të na ofrojnë të dhëna financiare dhe të gjitha të dhënat përcjellëse. Zakonisht, këto të dhëna ose i merr departamenti financiar dhe pastaj i printon ose i dërgon me email, ose ato mbahen nga një kontabilist diku, i cili shpesh mban edhe librat e kontabilitetit të kompanive të tjera, dhe deri sa të vijë radha, kjo nuk është prioritet i tij, dhe pastaj i ofron këto të dhëna. Kjo tregon një problem strukturor sa i përket qasjes në informacion. Alternativa e dytë, e cila është shumë e kufizuar, është Këshilli për Raportim Financiar, ku të gjitha bizneset me qarkullim mbi 700 mijë euro në vit dhe me më shumë se 10 punonjës janë të obliguara të publikojnë të dhënat financiare. Dhe mendoj se herën e fundit që e kam kontrolluar, ishin rreth 350 biznese që kishin deklaruar pasqyrat financiare”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i KEP Trust, Adrian Alo, theksoi se digjitalizimi dhe qasja në të dhëna të strukturuara do të reduktonin varësinë nga informacioni informal dhe do të përmirësonin ndjeshëm procesin e kreditimit.
“Së pari, do të reduktonte ndjeshëm varësinë nga marrëdhëniet informale me klientët, të cilat aktualisht përdoren për të kompensuar mungesën e të dhënave të strukturuara dhe të verifikueshme. Kjo do ta bënte modelin e kreditimit më objektiv dhe më pak të varur nga vlerësimet subjektive ose nga informacioni i pjesshëm”, tha ai.
Ai shtoi se përdorimi i të dhënave përmes API-ve do të rrisë cilësinë e vendimmarrjes dhe shpejtësinë e shërbimeve financiare.
“Së dyti, do të përmirësonte cilësinë e vendimmarrjes në kreditim dhe shpejtësinë e shërbimit ndaj klientëve. Me qasje në të dhëna publike të strukturuara përmes API-ve, institucionet financiare do të mund të bëjnë vlerësime më të sakta të rrezikut, duke identifikuar më mirë klientët me potencial rritjeje dhe duke shmangur vonesat në procesin e miratimit të kredive”, tha ai.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, tha se institucioni disponon një bazë të gjerë të dhënash, por ndarja e tyre me sektorin privat është e kufizuar me ligj.
“Vetëm për të theksuar, ne mbledhim rreth 4 milionë deklarata gjatë vitit. Siç e përmendët, ky është seti më i pasur i të dhënave në Kosovë.
Por ekzistojnë dy parakushte kryesore për ta ndarë këtë informacion me sektorin privat. Bazuar në ligjin tonë, Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat Tatimore, në nenin 66, parashihet që Administrata Tatimore nuk lejohet ta ndajë këtë informacion me sektorin privat pa marrë pëlqimin nga publiku, respektivisht nga tatimpaguesit”, tha ai.
Ai shtoi se zgjidhja mund të arrihet përmes mekanizmave të pëlqimit dhe integrimit teknologjik ndërinstitucional.
“Çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim është që sektori bankar, gjatë përditësimit të informacionit të tyre, mund të kërkojë këtë pëlqim nga klientët, dhe më pas mund të shohim mundësinë e ndarjes së këtij informacioni. Ne kemi krijuar API të ndryshme për të gjitha këto institucione, dhe e njëjta praktikë mund të zbatohet edhe me sektorin financiar”, tha ai.
Hyseni theksoi se shkëmbimi i të dhënave do të ishte përfitues për të gjitha palët, duke rritur efikasitetin dhe ulur barrën administrative.
“Nga perspektiva jonë, kjo është një situatë fitim-fitim. Nuk është vetëm që Administrata Tatimore kontribuon në uljen e barrës administrative dhe rritjen e efikasitetit për bankat komerciale, por gjithashtu na ndihmon edhe neve për analiza të ndryshme, sepse aktualisht përdorim rreth 20% të informacionit që mbledhim”, tha ai.
