Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar 24 majin e vitit 1992, datën kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një ndër momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë në vend.
Në një postim në Facebook, LDK-ja tha se zgjedhjet e mbajtura para 34 vitesh ishin “pikënisje dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci nën maksimën për Kosovën Republikë”.
Sipas këtij subjekti politik, historik ka qenë edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Ai u bë udhërrëfyes, misionar e prijësi shpirtëror i mbarë popullit në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci dhe në miqësi të përhershme me ShBA dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Figura e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme; ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi popullin e tij në rrugën për ta fituar lirinë dhe formuar shtetin demokratik”, thuhet në postim.
LDK-ja theksoi se 24 maji sot shënohet si Dita e Presidentit, në nderim të veprës së Rugovës dhe rolit të tij në shtetformimin e Kosovës.
“Populli i Kosovës sot, feston 24 majin, si ditën e Presidentit, duke nderuar kështu veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova; figurën emblematike të shtetit tonë, arkitektin dhe projektuesin e pavarësisë që ne e gëzojmë sot”, thuhet më tej në reagimin e LDK-së.
