Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor B.D për vrasjen e 19-vjeçarit Ardit Zymeri dhe e ka dënuar me 16 vjet burgim për veprën penale të vrasjes.
Po ashtu, B.D është dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa gjykata i ka shqiptuar dënim unik prej 17 vitesh burgim.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”.
“Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues sipas detyrës zyrtare ka bërë rikualifikimin e veprës sipas pikës 1 të aktakuzës, ashtu që nga vepra penale ‘vrasje e rëndë’ e ka kualifikuar në veprën penale ‘vrasje’. Për këto arsye, në emër të popullit, kundër të akuzuarit B.D kjo gjykatë për veprën e vrasjes shqipton dënim me burgim prej 16 vitesh, ndërsa për veprën e mbajtjes në pronësi të armës dënim prej dy vitesh. Shqiptohet dënim unik në kohëzgjatje prej 17 vitesh”, tha gjyqtari i rastit, shkruan reporteri.
Pas shpalljes së aktgjykimit, familjarët e viktimës reaguan me revoltë në sallën e gjyqit, duke shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të gjykatës.
“Nuk është gjykatë as kurgjo hiq”, “Doni me marrë në qafë këtë popull”, “Mallku qoftë ky shtet e ky gjyq. E ka vra njerin me katër plumba e dënohet 16 vjet”, “Ta marroftë Zoti fytyrën”, u dëgjuan thirrjet e familjarëve pas shpalljes së dënimit.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 23 mars 2025 në Vushtrri, ku i akuzuari dyshohet se ka shtënë tri herë me armë zjarri në drejtim të Ardit Zymerit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Viktima fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin e Vushtrrisë, ku edhe kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.