“Heshtja e Ministrisë është alarm”, aksion para MPB-së për aplikimet për shtetësinë e Kosovës

Prishtinë | 16 Qer 2026 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Revolta ka zhvilluar një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke shprehur shqetësim për mungesën e transparencës lidhur me aplikimet për shtetësinë e Republikës së Kosovës pas miratimit të Ligjit të ri për Shtetësinë, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Rilind Kuçi, tha se aktiviteti është organizuar për të ngritur shqetësime rreth dispozitave kalimtare të ligjit dhe për të kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Ne kemi vendosur që sot të mbajmë këtë aktivitet simbolik sepse e shohim shqetësuese situatën politike në Kosovë. Kanë kaluar tash një muaj e diçka që është miratuar Ligji i Ri për Shtetësi. Ky ligj ka brenda vetes një rrezik shumë të madh. Bëhet fjalë për dispozitat kalimtare të këtij ligji, konkretisht për nenet 30 dhe 31, të cilat i mundësojnë të gjithë banorëve që kanë qenë banorë në Kosovë deri më 1 janar 1998 të kenë të drejtë të fitojnë shtetësinë e Kosovës, bashkë me pasardhësit e tyre direkt”, deklaroi Kuçi.

Ai tha se, sipas informacioneve dhe analizave të Lëvizjes Revolta, ekziston mundësia që një numër i madh personash të përfitojnë nga këto dispozita.

“Ne kemi informata që një numër shumë i madh, i konsiderueshëm i serbëve veç kanë aplikuar për me marrë shtetësi. Sipas analizave tona, me këto dy nene rritet numri potencial i serbëve të cilët munden me marrë shtetësi në Kosovë deri në 1 milion. Dhe nëse janë 1 milion persona serbë të cilët mund me marrë shtetësi në Kosovë, atëherë çfarë kuptimi kanë krejt viktimat e luftës në këtë vend, që e kanë dhënë jetën për me i larguar edhe tash me i kthyer prapë në paqe?”, u shpreh ai.

Kuçi tha se organizata i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme me një kërkesë për qasje në dokumente publike, duke kërkuar numrin e aplikuesve për shtetësi, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje.

“Ne kemi reaguar direkt tek Ministria e Punëve të Brendshme edhe kemi kërkuar prej Ministrisë një pyetje shumë të thjeshtë: me na treguar numrin e saktë të aplikuesve serbë për me fituar shtetësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, i kanë tejkaluar krejt afatet ligjore. Kanë kaluar rreth dy javë prej kur e kemi dërguar kërkesën edhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje. Na kanë detyruar me kaluar prej pyetjes se sa serbë kanë aplikuar për me fituar shtetësinë e Kosovës, në pyetjen se çka janë duke fshehur”, tha ai.

Sipas Kuçit, kërkesa e tyre lidhet me të drejtën për qasje në dokumente publike dhe me transparencën institucionale.

“I kemi kërkuar Ministrisë të na përgjigjet sepse Ministria është publike, nuk është private. Kemi ardhur sot këtu me një aktivitet simbolik për me i treguar gjithë atyre që e kanë pushtetin, e gjithë atyre që mund me marrë pushtetin pas tyre, që pushtetin mos ta konsiderojnë si privilegj e fuqi, por ta konsiderojnë si përgjegjësi ndaj çdo qytetari që e meriton me ditë të vërtetën në këtë vend”, deklaroi ai.

Lëvizja Revolta paraqiti dy kërkesa, një ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një tjetër ndaj qytetarëve.

“Po ne i kemi dy kërkesa. E para i parashtrohet Ministrisë së Punëve të Brendshme: duhet të na kthejnë përgjigje sa më shpejt me na treguar sa është numri i serbëve që kanë aplikuar për me fituar shtetësinë. Kërkesa e dytë u drejtohet qytetarëve të këtij vendi: i lus të gjithë që të jenë vigjilentë ndaj kësaj çështjeje. Unë po i them Ministrisë se sa më e madhe të jetë heshtja, aq më e madhe do të bëhet revolta. Sot është aktivitet simbolik, por ne e paralajmërojmë Ministrinë që nëse nuk ka reagim të shpejtë për këtë çështje, atëherë ne paralajmërojmë thirrje për protestë”, shtoi Kuçi.

Të ngjashme