Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme që lidhet me Ballkanin Perëndimor, një masë që përfshin edhe Kosovën.
Vendimi është bërë publik përmes një dokumenti të Regjistrit Federal të ShBA-së, i cili i është përcjellë Senatit dhe mban datën 22 qershor 2026.
Në dokument thuhet se gjendja e jashtëzakonshme vazhdon për shkak të, siç thuhet, kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit të rajonit. Sipas autoriteteve amerikane, individë dhe grupe të caktuara vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të minojnë marrëveshjet dhe institucionet e krijuara pas luftërave, si dhe të përfshihen në raste të rënda korrupsioni që dëmtojnë sundimin e ligjit.
“Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare e shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219, në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 13304, e cila u zgjerua në fushëveprim me Urdhrin Ekzekutiv 14033 dhe në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa të tjerë shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 14140, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026”, thuhet në dokument, transmeton Klankosova.tv.
Kjo masë, e cila rinovohet çdo vit nga administrata amerikane, u mundëson autoriteteve të ShBA-së të vendosin sanksione ndaj personave dhe grupeve që konsiderohen se rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe proceset demokratike në Ballkanin Perëndimor.