Një yll i Chelseat raportohet se po shqyrton mundësitë për t’u larguar nga klubi vetëm disa orë pasi skuadra nga “Stamford Bridge” arriti një marrëveshje në parim për transferimin e mbrojtësit të Atalantës, Marco Palestra.
Të martën në mbrëmje (23 qershor), u raportua gjerësisht se Chelsea po i afrohej finalizimit të marrëveshjes për mbrojtësin e krahut 21-vjeçar në një transferim me vlerë rreth 43 milionë paund.
I riu, i cili ka regjistruar dy paraqitje me kombëtaren e Italisë, e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Cagliari në Serie A, ku zhvilloi 37 ndeshje.
Mbrojtësi i lindur në Buccinasco mund të luajë si mbrojtës i djathtë dhe si krah i djathtë në një sistem me pesë mbrojtës, gjë që mund t’i përshtatet trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonsos, dhe formacionit të tij të preferuar 3-4-2-1.
Ky sistem i solli sukses gjatë periudhës së tij te Bayer Leverkuseni, ku Alonso e udhëhoqi skuadrën drejt një dopiete vendase në vitin 2024 duke mbetur i pamposhtur në Bundesliga.
Palestra ishte lidhur fort me një kalim te kampionët e Serie A, Interi, por klubi italian nuk arriti të barazonte ofertën e Chelseat për kushtet personale të lojtarit.
Megjithatë, ardhja e Palestrës mund të çojë në largimin e Malo Gustos nga Chelsea këtë verë.
Sipas raportimeve të “BBC Sport”, mbrojtësi francez po shqyrton mundësitë për t’u larguar gjatë kësaj vere.
Burime pranë situatës sugjerojnë se janë zhvilluar bisedime me disa klube të Premierligës, përfshirë Manchester Cityn.
Gusto ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2030 dhe vlerësohet me 75 milionë paund nga drejtuesit e klubit londinez.
23-vjeçari do t’i ofronte konkurrencë Matheus Nunesit në “Etihad” nëse transferohet, megjithëse City vazhdon të ndjekë edhe objektiva të tjerë.
Vendimi i Gustos për të ardhmen mund të bëhet më i lehtë nga fakti se ish-trajneri i tij te Chelsea, Enzo Maresca, pritet të marrë drejtimin e Manchester Cityt sezonin e ardhshëm.
Të dy kanë punuar së bashku për 18 muaj te Chelsea, periudhë gjatë së cilës fituan Kupën e Botës për Klube dhe Ligën e Konferencës.
Ndërkohë, Marc Cucurella tashmë është larguar nga klubi, duke iu bashkuar Real Madridit në një marrëveshje prej 52 milionë paundësh, ndërsa disa mbrojtës të tjerë vazhdojnë të lidhen me largime të mundshme.
Trevoh Chalobah, i cili aktualisht ndodhet në Kupën e Botës me Anglinë, është objekt interesi nga Inter dhe Como, me mbrojtësin që është i hapur për një transferim në Itali.
Edhe mbrojtësit Tosin Adarabioyo dhe Wesley Fofana përballen me të ardhme të pasigurt, ndërsa mesfushori Enzo Fernández, të cilin Chelsea e vlerëson me 120 milionë paund, vazhdon të lidhet me një largim.
Raportohet se José Mourinho e sheh 25-vjeçarin si një përforcim ideal për mesfushën e Real Madridit.
Afati kalimtar mbyllet më 3 shtator në orën 17:00.