AKB përfaqësoi komunitetin e biznesit të Kosovës në debatin e nivelit të lartë të EESC-së për zgjerimin e BE-së

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka marrë pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar në Bruksel nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), ku përfaqësoi komunitetin e biznesit të Kosovës.

Sipas komunikatës, AKB u përfaqësua nga drejtoresha e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe anëtarja kandidate për zgjerim në EESC, Lumnije Ajdini.

Në komunikatë thuhet se pjesëmarrja e saj “konfirmon rolin e AKB-së si zëri përfaqësues i komunitetit të biznesit të Kosovës në institucionet evropiane dhe angazhimin e vazhdueshëm për integrimin evropian të vendit”.

Në debatin e nivelit të lartë morën pjesë Presidenti i EESC-së, Séamus Boland, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate, organizatave të punëdhënësve, partnerëve socialë dhe shoqërisë civile.

Sipas AKB-së, diskutimet u fokusuan në zgjerimin e Bashkimit Evropian, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike të vendeve kandidate me BE-në.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ritheksoi përkushtimin e saj për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“AKB mbetet e përkushtuar të përfaqësojë interesat e bizneseve kosovare në institucionet evropiane, duke kontribuar në forcimin e dialogut social dhe përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme