Mediumi Kallxo.com ka dalë me një sqarim pas pyetjeve që kanë shkuar në adresë të tyre nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, rreth profilit “Lule Gjeli” dhe një opinioni të publikuar po me këtë emër në faqen e Kallxo.com në vitin 2020.
Kallxo në sqarimin e tyre kanë pranuar që e kanë publikuar atë opinion me pseudonim “Lule Gjeli” me kërkesë të autorit, duke potencuar se ai nuk është i panjohur për redaksinë.
“Përgjigje: Identiteti i autorit me pseudonimin “Lule Gjeli” nuk është i panjohur për ne. Autori i opinionit të publikuar në KALLXO.com ka kërkuar që artikullin e dërguar si opinion ta publikojë me pseudonim”, thuhet në reagimin e Kallxo.
Kallxo në sqarim thonë se pas publikimit të shkrimit, nuk kanë pasur kurrfarë bashkëpunimi tjetër me autorin e opinionit e as me profilin “Lule Gjeli”
Pos publikimit të opinionit, kurrfarë bashkëpunimi tjetër nuk ka pasur as me autorin e opinionit, e as me facebook profilin Lule Gjeli. Vlerësimet dhe shenjëzimet e postimeve të profilit Lule Gjeli në Facebook si të rreme nuk do t’i quajmë si bashkëpunim, sepse disa herë kemi qenë të sulmuar mu për shkak të punës sonë në shenjëzimin e këtyre postimeve të rreme”, thuhet në përgjigjen e Kallxo për Përparim Ramën.
Sa i përket periudhës së bashkëpunimit dhe pagesës, Kallxo ka treguar se ka ndodhur në vitin 2020 dhe se nuk e kanë paguar publikimin në fjalë.
“Përgjigje: Publikimi i opinionit ka ndodhur me 27.08.2020. Autori i këtij opinioni as nuk është paguar, e as nuk ka paguar në asnjë formë, në asnjë moment, në asnjë mënyrë për këtë publikim. Puna në redaktimin e këtij opinioni është mbuluar me fondet vetanake të KALLXO.com.”, thuhet në sqarim.
Kallxo gjithashtu ka treguar se i kanë verifikuar si të rrejshme dhjetëra postime të faqes “Lule Gjeli” dhe kanë treguar se edhe vetë si shtëpi mediatike janë sulmuar nga profili i njejtë./Express/