Prokuroria ngre aktakuzë ndaj drejtorit komunal në Suharekë dhe një biznesmeni për keqpërdorim

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për dyshimet lidhur me keqpërdorime në realizimin e një projekti publik për ndërtimin e një lapidari në fshatin Samadraxhë të Suharekës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj A.M., person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., për veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, B.B., në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)”, në periudhën nga 23 shtatori 2019 deri më 20 dhjetor 2021, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare për t’i mundësuar përfitim operatorit ekonomik.

Prokuroria pretendon se ai ka nënshkruar pagesën prej 5,000 eurosh, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas kontratës, ndonëse, sipas hetimeve, ato nuk ishin kryer në përputhje me paramasën dhe specifikimet teknike, ndërsa nuk ishte paraqitur as kërkesë për kolaudim apo ndryshim të punimeve.

Sipas aktakuzës, kontrata për realizimin e projektit kishte vlerën totale prej 28,650 eurosh, ndërsa veprimet e të pandehurit i kanë shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material në vlerë prej 5,000 eurosh, dëm i cili, sipas Prokurorisë, është konfirmuar edhe përmes ekspertizës së ndërtimtarisë.

Ndërkaq, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., dyshohet se ka pranuar pagesën prej 5,000 eurosh, edhe pse punimet nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Të ngjashme