Rend apo shthurje

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 09:27 | Nga Blerim Shala

Zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë rezultat i cili do t’i hapte dyert me automatizëm për krijimin e pushtetit qendror të tij, duke përfshirë këtu edhe atë të Presidentit të Kosovës.

Këtë e dimë të gjithë. A e pranojmë apo jo, para vetes dhe para të tjerëve, kjo është çështje në vete. Por që nuk çon peshë fare.

Zgjedhjet e reja, për më shumë, nuk do të na bëjmë më të mençur, më pragmatik, më të gatshëm për ta dëgjuar njëri-tjetrin në këtë skenën politike vendore. Dhe për tu marrë vesh me njeri-tjetrin.

Edhe këtë e dimë të gjithë ne. Natyrisht, nuk jemi në gjendje ta tumirim një konkludim të këtij lloji, sepse ai, pos tjerash, shfaq një ngecje evidente në evoluimin e duhur (dhe madje, të domosdoshëm), të kualitetit të partive politike të Kosovës.

Por, aktualisht, ky është realiteti. Dhe gjëja e parë që një politikan dhe një parti politike duhet ta bëjë është pranimi i realitetit. Ndryshe, nuk do të ketë kurrë gjasa për ta ndryshuar atë.

Këto dy të vërteta që nuk mund të kontestohen dot në politikën e sotme të Kosovës, i bëjnë, rrjedhimisht, zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare (të katërtat eventualisht që nga shkurti i vitit të kaluar), krejtësisht të panevojshme. Madje, ato do të ishin të dëmshme për vendin.

Janë shterë qëmoti të gjitha argumentet e mundshme në këtë politikën vendore, besa edhe në debatet televizive, sepse nuk ka të thuash asnjë fakt të ri, asnjë ide të re, asnjë propozim të ri.

Të gjitha përplasjet e mundshme politike dhe televizive janë reduktuar, në thelb, në një pyetje të vetme: A do të bëhen institucionet e pushtetit, a do të shkojmë edhe një herë në zgjedhje?

Duket që i gjithë spektri politik, e bashkë me te, edhe qytetarët/ votuesit e këtij vendi, në masë absolute, janë lodhur nga kjo situatë asnjanëse, kur vendi nuk ka as Kuvend, as Qeveri dhe as President afatgjatë. Ku nuk ka skemë të mirëfilltë politike të pushtetit dhe opozitës.

Kur politika e vendit nuk merret sa dhe si duhet me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, por kur ajo thuaja kryekëput preokupohet me vetveten.

Kur ne nuk merremi me këtë lëmshin gjithnjë e më të madhe dhe më të rrezikshëm ndërkombëtar, i cili është kanosës, realisht, edhe për ne, por e nisim dhe e mbyllim ditën me kalkulimet e lloj-llojshme politike, të cilat nuk njohin epilog dhe i përngjajnë novelave të pafundme televizive.

Nëse zgjedhjet nuk janë më zgjidhje, nëse ne po sillemi në rreth i cili nuk mund të prodhojë gjë pos marramendjes dhe madje rrëzimit për toke, dhe nëse ngecja politike është ‘cilësi’ që paralajmëron vetëm telashe në relacionet tona me rrjedhat ndërkombëtare, atëherë, çfarë mbetet është që disi të mbërrihet tek shumica parlamentare prej së paku 80 deputetëve, për ta garantuar zgjedhjet e Presidentit të ri të Kosovës.

Nuk është ky ‘sport’ i lehtë. Këtë e kemi marrë vesh tash e sa vjet, dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen, derisa të mos merret vendimi për ndryshimin kushtetues të procedurës së zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Shkurt, duhet të shkurorëzohet zgjedhja e Presidentit të Kosovës prej vendimmarrjes parlamentare. Ai, ajo, le të votohen prej vet qytetarëve të Kosovës. Ndryshe, gjithmonë posti i Presidentit, të parit të shtetit, do të mbetet gjithmonë pazar politik, gjë që nuk i shkon fare emrit dhe mandatit të tij.

Pazari dhe dinjiteti nuk shkojnë së bashku. Apo jo.

Por, në rrethanat e tanishme, duhet të punohet me procedurat kushtetuese dhe parlamentare në fuqi.

Ia vlen të mendojmë pozitivisht, si thuhet, duke supozuar që për pak ditë, apo, në variantin më pak optimist, për disa javë, do të mbërrimë tek kompletimi i pushtetit në Kosovë.

Kështu, do të krijoheshin rrethanat për një skenë të mirëfilltë politike. Pa të cilën nuk mund të bëhet gjë në këtë vend.

Të ngjashme