Politikat nuk duhet të gjykohen nga qëllimet që shpallin, por nga pasojat që prodhojnë

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 11:44 | Nga Safet Gërxhaliu

Milton Friedman thoshte se politikat nuk duhet të gjykohen nga qëllimet që shpallin, por nga pasojat që prodhojnë. Pikërisht këtu nis paradoksi: qeveria flet për prodhim vendor, vende pune dhe zvogëlim të importit, ndërsa veprimet e saj mund ta vendosin prodhuesin vendor në një pozitë aq të pafavorshme, sa të rrezikojnë edhe vetë ekzistencën e tij.
Prodhimi vendor nuk zhvillohet vetëm me subvencione. Ai ka nevojë për rregulla të qarta, standarde të qëndrueshme dhe institucione që veprojnë me maturi. Një sipërmarrës mund të përballet me konkurrencën, me lëvizjen e çmimeve dhe me pasigurinë e tregut. Por e ka shumë më të vështirë të përballet me një shtet që sot premton mbështetje, ndërsa nesër shndërrohet në burimin kryesor të pasigurisë.

Standardet janë të domosdoshme. Pa to nuk ka cilësi, mbrojtje të konsumatorit dhe as treg funksional. Por standardi duhet të shërbejë si instrument për përmirësim, jo si mjet për demonstrimin e autoritetit politik.
Kur kontrolli institucional shoqërohet me deklarata të parakohshme, ekspozim publik dhe krijim të dyshimit përpara se faktet të vërtetohen, kufiri mes rregullimit dhe dëmtimit bëhet shumë i hollë. Në atë moment, shteti nuk është domosdoshmërisht duke e mbrojtur tregun. Mund të jetë duke e cenuar atë.
Qeveria nuk duhet ta mbrojë prodhuesin nga përgjegjësia. Por duhet ta mbrojë ekonominë nga arbitrariteti i vet.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një ekonomi të vogël si Kosova. Një kompani prodhuese nuk është vetëm një subjekt juridik. Rreth saj ekziston një zinxhir i tërë ekonomik: punëtorë, fermerë, furnizues, transportues dhe familje që varen nga ai aktivitet. Kur shteti godet pa kujdes një hallkë të këtij zinxhiri, pasojat nuk ndalen aty. Ato përhapen në të gjithë sistemin.

Importi, në këtë kuptim, është më i thjeshtë. Ai hyn në treg si produkt i përfunduar. Prodhimi vendor, përkundrazi, ndërtohet çdo ditë dhe varet drejtpërdrejt nga cilësia e institucioneve vendore. Prandaj, një shtet i paparashikueshëm nuk e dëmton vetëm një biznes. Ai ia rrit avantazhin importit dhe e bën prodhimin vendor edhe më pak konkurrues.
Qeveritë shpesh e ngatërrojnë ashpërsinë me kompetencën. Mendojnë se sa më shumë zhurmë, aq më shumë autoritet. Por një shtet serioz nuk ka nevojë për spektakël. Ai kontrollon, dokumenton, analizon dhe pastaj vendos. Autoriteti i tij buron nga saktësia dhe drejtësia, jo nga mikrofoni.

Në fund, investitori nuk pyet vetëm sa është tatimi, sa kushton energjia apo sa kushton fuqia punëtore. Ai pyet nëse rregullat do të vlejnë njësoj edhe nesër. Pyet nëse institucionet do të veprojnë me profesionalizëm dhe nëse reputacioni i një biznesi mund të shkatërrohet përpara se faktet të sqarohen.
Kosovës nuk i mungojnë deklaratat për zhvillim ekonomik. Kemi boll. Ajo që mungon është një filozofi institucionale që prodhuesin e sheh si partner të zhvillimit, jo si subjekt që duhet trajtuar vazhdimisht me dyshim.

Një shtet i dobët e ul standardin për ta kënaqur biznesin. Një shtet arbitrar e përdor standardin për ta frikësuar. Ndërsa një shtet serioz vendos standarde të qarta, i zbaton njësoj për të gjithë dhe i jep sipërmarrësit sigurinë e nevojshme për të investuar.
Sepse kapitali nuk largohet vetëm kur humb para. Shpesh largohet më herët, në momentin kur kupton se rregullat nuk janë më rregulla, por vendime të çastit.

Të ngjashme