Haxhiu: Kosova duhet të jetë vendi ku të rinjtë ndërtojnë të ardhmen e tyre

Prishtinë | 12 Gus 2026 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës hapi dyert për të rinjtë nga të gjitha trevat e Kosovës dhe nga mërgata, duke u dhënë mundësinë të prezantojnë talentet, projektet dhe punën e tyre në fusha të ndryshme.

Në mesin e të rinjve pjesëmarrës kishte të rinj me profile të ndryshme, nga teknologjia, arti, muzika dhe sporti, deri te letërsia, studimi dhe hulumtimi. Secili prej tyre solli një histori të veçantë dhe dëshmi konkrete të punës, talentit dhe përkushtimit të rinisë kosovare.

Gjatë këtij takimi, U.d Presidentja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ishte mbresëlënëse të dëgjonte nga afër të rinjtë dhe të shihte projektet dhe idetë që ata po zhvillojnë në fushat e tyre.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi përkushtimin për ndërtimin e një Kosove ku të rinjtë mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, përmes shkollimit cilësor, punës së ndershme dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë.

“Një Kosovë ku puna dhe talenti kanë peshë dhe ku secili mund të ecë përpara me atë që di e që bën”, ishte mesazhi i saj.

Haxhiu falënderoi të gjithë të rinjtë për pjesëmarrjen dhe prezantimet, duke vlerësuar kontributin dhe potencialin e tyre për të ardhmen e vendit.

Të ngjashme