Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të Inspektoratit Qendror të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektoratit Sanitar dhe Inspektoratit të Arsimit, me qëllim forcimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e fruthit dhe rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim.
Në takim u theksua nevoja për zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, si dhe respektimin e kërkesave për vaksinimin e fëmijëve gjatë regjistrimit në institucionet parashkollore dhe në klasën e parë.
Sipas udhëzimeve administrative në fuqi, dëshmia e vaksinimit kërkohet gjatë regjistrimit të fëmijëve në institucionet parashkollore dhe në klasën e parë.
Pjesëmarrësit u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit shëndetësor dhe atij arsimor, me fokus në identifikimin e fëmijëve që nuk janë vaksinuar sipas Kalendarit të Rregullt të Vaksinimit dhe referimin e tyre në njësitë përkatëse për vaksinim plotësues.
Ndërkohë, inspektoratet pritet të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të këtyre kërkesave nga institucionet përgjegjëse.
IKSHPK ka rikujtuar se vaksinimi në kohë dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë ndër masat kryesore për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndërprerjen e zinxhirit të përhapjes së fruthit.