Mungesa e realizimit të planifikimeve të prokurimit publik po vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Raporti i INPO-së “Prokurimi që mbetet në plan” tregon se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit kanë realizuar vetëm një pjesë të vogël të aktiviteteve të parapara.
Nga 905 aktivitete të planifikuara për t’u iniciuar deri më 30 qershor, vetëm 170 prej tyre janë iniciuar.
Hulumtuesi në INPO, Arbër Kabashi, ka prezantuar të dhënat e raportit për planifikimet dhe aktivitetet e prokurimit të ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit për periudhën 1 janar deri më 30 qershor 2026.
“Pra, në këtë raport ne kemi mbledhur të dhënat për të gjitha ministritë dhe për Zyrën e Kryeministrit. Analiza jonë është e bazuar në planifikimet e prokurimit, të cilat janë të publikuara në platformën e e-Prokurimit nga të gjitha këto ministri”, tha Kabashi.
Kabashi ka shpjeguar edhe metodologjinë e përdorur për hartimin e raportit.
“Metodologjia që kemi përdorur pra për këtë raport: Kemi analizuar planifikimet e prokurimit të të gjitha ministrive dhe i kemi analizuar të gjitha aktivitetet e prokurimit, të cilat janë iniciuar përmes formularit B55 apo siç njihet formulari i njoftimit për kontratë. Kemi shkuar pra, analizën e kemi bërë në bazë të këtij formulari sepse pjesa dërrmuese e aktiviteteve që janë në një planifikim të prokurimit paraqitet që të iniciohen përmes këtij formulari”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se periudha monitoruese përfshin gjashtë muajt e parë të vitit.
“Periudha jonë monitoruese është nga data 1 janar deri më datën 30 qershor. Pra, të gjitha aktivitetet të cilat i kanë iniciuar ministritë nga periudha 1 janar deri më 30 qershor 2026. Gjatë kësaj periudhe ka edhe aktivitete të tjera të cilat i kanë zhvilluar ministritë edhe Zyra e Kryeministrit, por ato i takojnë aktiviteteve të cilat janë iniciuar në vitet paraardhëse. Pra, të jemi më të qartë, analiza jonë fokusohet vetëm për aktivitetet që janë iniciuar në periudhan 1 janar – 30 qershor 2026″, tha ai.
Sipas Kabashit, një prej sfidave kryesore për autoritetet kontraktuese gjatë këtij viti ka qenë miratimi me vonesë i buxhetit.
“Gjatë analizimit të planifikimeve të prokurimit dhe mbledhjes së të dhënave, kemi parë që sfida kryesore me të cilën janë përballur autoritetet kontraktuese këtë vit ka qenë miratimi i buxhetit me vonesë. Ose mund të themi pra, për dallim prej viteve të tjera ku buxheti është miratuar para se të fillojë viti, në këtë vit, pra në vitin 2026, tek më datën 2 mars buxheti është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe sipas komunikimeve që kemi pasur gjatë fazës së komentimit edhe me disa autoritete kontraktuese, kanë deklaruar që deri më 2 mars nuk kanë mundur me filluar procesin e hartimit të planifikimit të prokurimit e më pas të dorëzimit të tij në Agjencinë Qendrore të Prokurimit”, u shpreh ai.
Kabashi ka prezantuar edhe shifrat kryesore të raportit, sipas të cilave ministritë dhe Zyra e Kryeministrit kanë planifikuar gjithsej 1,128 aktivitete të prokurimit, me vlerë totale prej rreth 600 milionë euro.
“Kjo është tabela kryesore e raportit. Në këtë tabelë ne i kemi mbledhur të dhënat për aktivitetet të cilat i ka planifikuar secili autoritet kontraktues që përfaqëson ministritë edhe Zyrën e Kryeministrit. Pra, janë gjithsejt 1,128 aktivitete që janë planifikuar nga të gjitha ministritë dhe Zyra e Kryeministrit. Vlera totale e tyre pra është 600 milionëshë”, tha ai.
Sipas tij, nga këto aktivitete, 905 ishin planifikuar të inicioheshin deri më 30 qershor.
“Për me qenë edhe më të saktë, ne kemi nxjerrë të dhëna nga data se kur këto aktivitete kanë qenë të planifikuara që të iniciohen. Ka aktivitete që kanë qenë të planifikuara për inicim edhe pas datës 30 qershor dhe ne e kemi bërë një ndarje me qëllim që të jemi sa më të saktë. Nga këto 1,128 aktivitete në total prej të gjitha autoriteteve kontraktuese, 905 aktivitete janë qenë të parapara që të iniciohen deri më datën 30 qershor, apo deri më datën kur ne e kemi përfunduar procesin e monitorimit apo mbledhjes së të dhënave. Pra, 80% e këtyre aktiviteteve kanë qenë të planifikuara që të iniciohen deri më datë 30 qershor, në vlerë 388 milionë euro. Nga analiza, nga mbledhja e të dhënave tona, rezulton se deri më 30 qershor janë iniciuar 170 aktivitete, që për nga numri pra janë 15% e aktiviteteve. Vlera totale e aktiviteteve që janë iniciuar është 31 milionëshe”, tha Kabashi.
Kurse, Osman Vishaj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), duke komentuar gjetjet e raportit, tha se planifikimi i prokurimit është bazamenti i gjithë procesit.
“Planifikimi i prokurimit pothuajse është, me fjalë tjera, faktikisht me shprehje popullore është themeli, sikur në temelin e një shtëpie. Nëse bazamentin e një shtëpie e bën të keq në ndërtesë, një tërmet prej tre-katër ballëve ka me të dëmtuar. Themeli, themeli i një procesi të prokurimit publik është planifikimi i prokurimit publik. Pa dashur me arsyetuar këtë planifikim që pak, që nuk është në harmoni me ligjin, kanë ndodhur dy fenomene që i tha edhe Arbëri. Është vonesa e miratimit të ligjit edhe ndarja e shumë ministrive që jo në planifikim, por edhe në realizim të procedurave të prokurimit ka shkaktuar goxha tollovi. Ka shembuj që besoj që nuk e keni vërejtur ose nuk e keni pasur targetin ju, ku institucione të caktuara kanë filluar, ta marrim Ministria e Arsimit, Kulturës, një procedurë të prokurimit, ndërsa rrugës, ka qenë në vlerësim, rrugës ka ndryshuar procesi, projekti, mjetet financiare janë bartur në ministrinë, po thojmë të Kulturës, ndërsa kjo e Sportit. Ka gjithë aktivitetin e prokurimit. Është problemi çfarë me bërë me këto çështje”, tha ai.
Vishaj tha se ky raport është një hapje e syve dhe se sipas tij nuk lë shije të mirë.
“Shumë sende i jepen në dorë të njerëzve, pra po thojmë, të drejtën e të papërgjegjësisë zyrtarëve, qoftë zyrtarëve të prokurimit, sepse prokurimi, po thojmë me një fjalë, është art. Prokurimi publik është art. Nuk ka send si në prokurim, si në jetë të përditshme që nuk ka zgjidhje, vetëm në ato rrethana ku ne dojmë me ndërlikuar situatat. Ky raport në gjykimin tim, edhe në pamjen tim të parë, nuk të lë një shije të mirë. Ndoshta ti shkon 60%, 55%, kjo është po ai nivel i ultë i realizimit, nuk të lë një shije të mirë. Po mendoj dhe po gjykoj prapë, po du me arsyetuar që dy elemente që vitin, në këtë vit kanë ndodhur te planifikimi i prokurimit edhe mosrealizimi në këtë, në këtë masë. Po thojmë edhe njëherë, është ndarja e ministrive ka çuar goxha peshë të madhe dhe goxha e ka bërë një farë tollovie, edhe është buxheti është aprovuar vonë. Aty po shoh këtu që dinë më mirë në prokurim publik ose në hapat këtu, po me sa di unë, plani i prokurimit dorëzohet final 15 ditë pas miratimit të buxhetit. Mos të ma merrni për bazë se nuk mund me qenë shumë i sigurt, po, domethënë pas, rrjedhimisht i i bën, po thojmë ka fundi i marsit situata që po vjen, që shkon në kuartalin e parë të vitit të 2026-së. Bëhet fjalë, ky raport dhe çdo raport për neve është, si me thënë, një hapje e syve”, tha ai.
Nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Bezad Halilaj tha se analiza tregon se niveli i aktiviteteve është mjaftë i ulët karshi planifikimit.
“Komunikimi dhe bashkëpunimi që është zhvilluar edhe me Zyrën Kombëtare të Auditimit si një institucion i cili ka mandat kushtetues që të kontrollojë apo të auditojë përdorimin e projekteve të ndryshme. Në përgjithësi buxhetin e shtetit, ka paratë publike që nëse e marrim në kontekst të pjesëmarrjes në shpenzime, fushA e buxhetit është një prej fushave që stafi, siç po thosha, ose e shohim nga konteksti i analizave, pothuajse 1 miliard euro. Dikund në vitin 2025 ose afërsisht 900 milionë euro, që kanë shkuar si projekte të investimeve kapitale. Gjetjet të cilat zoti Kabashi i prezantoi, nuk janë risi për INPO-në edhe për ne si Zyrë Kombëtare e Auditimit. Janë çështje të cilat në vazhdimësi po ndodhin në menaxhimin e parave publike në institucione. Por pse nuk janë risi, gjithsesi ajo çka bëjmë ne edhe çka bën INPO edhe organizata të tjera, siç e përmendi edhe drejtori i KRPP-së, ne duhet t’i adresojmë në vazhdimësi, sepse qëllimi është që të përmirësojmë procesin.
Por, analizat tregojnë që është nivel i ulët i aktiviteteve karshi planifikimit. Analizat tregojnë që është nivel i ulët i aktiviteteve të cilat janë paraparë shumë në buxhetim apo planifikim. E pse këto ndodhin, edhe në punën tonë si Zyrë Kombëtare e Auditimit, edhe atë që e përmendi zoti Vishaj, janë një numër faktorësh të cilët, me gjithë ndoshta krahasuar me situatat apo me periudhat kohore ka përmirësime, por prapë se prapë janë çështje të cilat ne, të thuash, i kushtojmë e përcjellim në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës, institucionet, komunat, nivelin lokal”, tha ai.
Ndërsa, Diana Metushi-Krasniqi, eksperte e prokurimit u shpreh se çështja e prokurimit ka mbetur vetëm në planet qeverisëse, mirëpo sipas saj ende nuk është realizuar.
“Raporti ka emrin “Prokurimi që mbetet në letër”. Fatkeqësisht, prokurimi ka mbetur në letër jo vetëm në planifikim të prokurimeve, po edhe në avancimin e vetë prokurimit. Edhe me gjithë të tëra domethënë reformat në prokurimin publik kanë mbetur në planet e qeverisjes, e cila ende nuk është realizuar. Që është goxha na tregon se sa kemi seriozitet për të marrë për bazë avancimin, përmirësimin e një prej fushave më kritike në të gjitha relacionet qeveritare.
Pse po theksoj më kritike? Prokurimi publik nuk është burokraci. Prokurimi publik është ajo fushë që, apo aktiviteti publik që preket drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Dhe kur flasim për mangësi, për vonesa, për mosrealizim të planifikimeve të prokurimit, jemi duke folur për për mosadresimin apo mungesën e efikasitetit dhe efiçiencës qeveritare për me i përmbushur nevojat e qytetarëve.
Kur flasim për vonesat në realizimin e planifikimit të prokurimit, përveç asaj më të thjeshtë burokratike që është djegia e buxhetit, se buxheti që nuk shfrytëzohet nuk mundet me u realizuar më tutje, po dhe po të mundet nuk mundet me u shfrytëzuar deri në vitin e ardhshëm, ajo djegie e buxhetit neve na bien deri te problemi i uljes së qarkullimit financiar në treg. E qarkullimi prej një miliardësh në tregun e Kosovës është një ndihmesë, është një shtytje shumë e madhe për bizneset. Mos të harrojmë se janë bizneset ato që krijojnë vendet e punës, janë bizneset ato që paguajnë numrin më të madh të taksave. Kështu që kur ne e ndalim këtë pjesë të buxhetit, na në mënyrë indirekte jemi duke dëmtuar edhe vetveten si qeverisje, si shtet, për shkak që jemi duke ndalur një pjesë goxha të konsiderueshme të të hyrave indirekte përmes taksave.
Përtej asaj, kemi uljen e performancës së institucioneve. Kur nuk e realizojmë një planifikim të prokurimit, normal institucionet nuk kanë mjaftueshëm mjetet, nuk kanë mjaftueshëm mjetet e veta për me kryer punën e vet ashtu siç duhet, nuk kanë me mbërritur me i kryer planifikimet apo premtimet politike publike apo politike që janë dhënë për infrastrukturë, për avancime të mirëqenies e të tjera e të tjera, që respektivisht ndikon edhe në uljen e besimit në institucione.
Duhet me qenë prioritet rritja e besimit, e rritja e besimit në institucionet tona, që tona dhe t’i kemi bërë dhe t’i paguajmë, duhet me qenë prioritet”, tha Metushi-Krasniqi.

