Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Kanadaja dëshiron “përfitimet e të qenit shtet, pa qenë një i tillë”, pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan të premten.
Në reagimin e tij të parë pas ndërprerjes së bisedimeve, Trump ka mbrojtur vendosjen e tarifave të reja prej 50 për qind ndaj një sërë produktesh kanadeze.
Ai ka thënë gjithashtu se fermerët amerikanë janë detyruar të paguajnë “shuma masive tarifash” për vite me radhë.
Deklaratat e Trumpit vijnë pasi kryeministri kanadez Mark Carney i cilësoi tarifat e reja amerikane si një “llogaritje të gabuar”, e cila synon ta “lëndojë dhe përçajë” Kanadanë.
Carney ka konfirmuar se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane “dollar për dollar”, duke nisur nga 8 shtatori. Masat kundërpërgjigjëse do të përfshijnë edhe çelikun, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake dhe produktet elektronike, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, ka thënë Carney, duke shtuar se SHBA-ja dhe Kanadaja tashmë ndodhen në një “luftë tregtare”.
“Je në luftë kur sulmohesh. Ne u sulmuam”, është shprehur kryeministri kanadez.
Komentet e fundit të Trumpit rikthejnë edhe një herë deklaratat e tij të përsëritura se Kanadaja mund të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së, deklarata që kanë shkaktuar reagime të forta në Kanada.
Dështimi i negociatave ka goditur një marrëdhënie tregtare të ndërthurur thellë mes dy vendeve, ndërsa aktualisht nuk ka një rrugë të qartë drejt një marrëveshjeje të re.
Tarifat e reja amerikane prej 50 për qind do të zbatohen ndaj një sërë mallrash kanadeze, krahas tarifave që tashmë janë në fuqi për çelikun, aluminin, automjetet dhe lëndën e drurit.
Masat e reja prekin rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze, ose rreth 5 për qind të totalit, duke përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit.
Carney ka thënë se Kanadaja po kundërpërgjigjet “me ngurrim”, me qëllim mbrojtjen e interesave të vendit, ndërsa detajet e masave kundër SHBA-së pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.