Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për veprime urgjente kundër dhunës ndaj grave

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet dhe autoritetet përkatëse në Kosovë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

Reagimi i tij vjen pas vdekjes së dy grave, të cilat, sipas raportimeve, u vranë nga bashkëshortët e tyre brenda pak ditësh.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka shprehur trishtim të thellë për këto raste, ndërsa familjeve dhe të afërmve të viktimave u ka shprehur ngushëllimet më të thella.

“Këto vdekje tronditëse janë një kujtesë e dhimbshme se dhuna ndaj grave mbetet një çështje serioze dhe urgjente e të drejtave të njeriut. Një dhunë e tillë nuk duhet të tolerohet, normalizohet apo trajtohet kurrë si çështje private”, tha Due.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe autoriteteve përkatëse që të sigurojnë hetime të shpejta, të plota dhe të paanshme për rastet, si dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vendosjen e përgjegjësisë së plotë.

Në reagimin e tij, Due ka kërkuar gjithashtu intensifikimin dhe koordinimin e veprimeve për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Ai ka kërkuar që gratë në rrezik të kenë mbrojtjen e nevojshme, ndërsa të mbijetuarat të kenë qasje në kohë në shërbime mbështetëse, mbrojtje dhe drejtësi.

Të ngjashme