Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në ndezjen e “Zjarrit të Lirisë” në Kleçkë, në një tubim ku ishin të pranishëm qytetarë, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të UÇK-së, si dhe personalitete të kësaj ane.
Lladrovci, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar “Zjarri e Lirisë” si simbol të qëndresës dhe krenarisë kombëtare, duke shprehur besimin e tij në pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Zjarri i Lirisë, në Kleçkën heroike, është zjarr që buron nga zemra e çlirimtarëve, nga zona e qëndresës, rezistencës dhe krenarisë kombëtare për heronjtë tanë të luftës dhe paqes”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se ndezja e zjarrit në këtë natë përbën, sipas tij, një mesazh të fuqishëm për besimin në drejtësi dhe pafajësinë e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Zjarri i kësaj nate, është mesazh i fuqishëm për bindjen tonë të thellë dhe besimin e palëkundur në drejtësi dhe pafajësinë e Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhës”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka shprehur bindjen se ish-drejtuesit e UÇK-së do të kthehen të pafajshëm, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre.
“I presim të pafajshëm çlirimtarët, të liruar nga të gjitha shpifjet e akuzat e armikut tonë shekullor dhe veglave të tyre”, ka shkruar kryetari i Drenasit.