Prishtinë | 15 Sht 2026 | 14:47 | Nga Ekonomia Online
Në qytete në mbarë Kosovën janë vendosur flamuj, emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fotografi të katër ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke kërkuar lirimin e tyre si dhe ora që tregojnë edhe sa kohë ka mbetur deri në shpalljen e aktgjykimit ndaj tyre. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi, që shpallet paraditen e 16 shtatorit, vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, që u themelua më 2015.
1.”Çlirimtarë, sillni në shtëpi”, shkruan në një bilbord të vendosur në qendër të Prishtinës, teksa kanë mbetur më pak se 24 orë deri në shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.
2. Në pritje të vendimit, në qytete në mbarë Kosovën, sikurse edhe në Prishtinë (pasqyruar në këtë fotografi) janë vendosur ekrane që tregojnë kohën e mbetur deri në shpalljen e aktgjykimit. Aktgjykimi do të shpallet paraditen e 16 shtatorit.3. Flamuj kombëtar shqiptar dhe flamuj të Kosovës të vendosur në një rrugë në Ferizaj në pritje të vendimit për katërshen e UÇK-së.4. Kapele me mbishkrime “Liria ka emër”, “UÇK” dhe me flamurin kombëtar shqiptar shihen në Prishtinë. Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, dhe të gjithë janë deklaruar për dhjetë pikat e aktakuzës.5. “Heronj të luftës dhe paqes” është mbishkrimi i shoqëruar me fotografitë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ky bilbord është një prej të shumtave që janë vendosur në pjesë të ndryshme të Prishtinës.6. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Mbrojtja, ndërkaq, ka kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.7. Sheshi kryesor i Prishtinës i stolisur me flamuj të UÇK-së. Autoritetet e qytetit kanë paralajmëruar se në qendër të Prishtinës do të vendoset një ekran i madh ku qytetarët do të mund të ndjekin shpalljen e vendimit.8. Emblema e UÇK-së shihet në një mur në Ferizaj.9. Vetura të stolisura me flamuj të UÇK-së dhe me portrete të ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në Prishtinë.10. Qytetarët duke shëtitur nëpër sheshin kryesor të Prishtinës, ku janë vendosur flamuj të UÇK-së. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së gjatë gjykimit ka argumentuar se ajo ishte një ushtri guerile, vullnetare dhe nuk kishte një hierarki vertikale.11. Në aktakuzën e ngritur ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se UÇK-ja ishte një organizatë e strukturuar, me zinxhir komandimi deri te Hashim Thaçi.12. Në kulmin e ndërtesës së Radio Kosovës gjendet mbishkrimi “Liria ka emër”, shoqëruar me emblemën e UÇK-së.13. Gjatë luftës në Kosovë, Thaçi mbante rolin e udhëheqësit politik të UÇK-së, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.14. Në aktakuzë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi përshkruhen si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve. Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.15. Gjatë gjykimit në Hagë, në bankën e dëshmitarëve në mbrojtje të Thaçit u ulën figura të larta ndërkombëtare, përfshirë gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe dhe ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin.16. Vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit, më 12 shtator, në Prishtinë, nën organizimin e platformës qytetare “Liria ka emër” u mbajt Marshi i Lirisë. Mijëra qytetarë morën pjesë në të dhe folësit e organizatorët kërkuan që katër ish-eprorët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen në Kosovë.