Grenell i reagon Kosit: Këtyre gjykatave radikale duhet t’u hiqet menjëherë financimi

Prishtinë | 16 Sht 2026 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një reagim të ri në lidhje me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ka dalë kundër deklarimit të Marta Kos, komisionare për zgjerim e BE-së.

Kos tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë organ i paanshëm dhe i pavarur gjyqësor.

Por, Grenell thotë se kjo nuk qëndron pasi, sipas tij, Thaçi është mbajtur 6 vjet në burg për diçka që “ju thoni se ka ndodhur 25 vjet më parë”.

“Kjo është e turpshme”.

“Evropa duhet të reformojë institucionet e saja – dhe politikat. Kjo nuk është drejtësi, është aktivizëm nga elitat. Është një tjetër njollë në Evropë.

“Këtyre gjykatave radikale duhet t’u hiqet menjëherë financimi”, deklaroi Grenell në postimin e tij në X.

Marta Kos tha në një postim të mëhershëm në X se gjykimet e Speciales “duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtën e apelit”.

“Kemi të bëjmë me përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon të ndihmojnë në shërimin e plagëve nga e kaluara. Vetëm përmes pajtimit vendet në rajon mund të tejkalojnë dallimet dhe të shkojnë përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, shkroi Kos.

Të ngjashme