Asipi: Kosova, i vetmi shembull në botë ku tradhtarët, hajnat dhe spiunët i dënojnë çlirimtarët

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Tetova, Xhezair Asipi, ka reaguar ashpër lidhur me dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur mbështetje për komandantët dhe drejtuesit e luftës.

Në një deklaratë të tij, Asipi u është drejtuar komandantëve dhe udhëheqësve të UÇK-së, duke thënë se veteranët do të qëndrojnë pas tyre.

“Ne qëndrojmë prapa jush deri në vdekje. Ne nuk do ta lëmë rehat jo Kosovën, por as Evropën nuk do ta lëmë rehat. Rrëmujë do të bëhet këtu”, është shprehur ai

Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të nisë nga fillimi, duke kundërshtuar dënimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Deri sa të bëhet një gjyq dhe të kthehet lënda prej fillimi. Nuk mund të dënohen njerëzit sepse dikujt i ka humbur muzati në Kaçanik, nuk mund të dënohen me 25 vjet burg”, ka deklaruar ai.

Asipi ka thënë po ashtu se ka pasur lojë të madhe ndërmjet Serbisë, Rusisë, ZPS-së dhe Gjykatës Speciale.

“Kemi dhënë çaj e kemi ushqyer, në vend që me thënë faleminderit, thotë s’më ka zënë gjumi prej çajit. Ka qenë një lojë e madhe mes Serbisë, Rusisë dhe prokurorëve e gjykatësve të kësaj Gjykate”, ka thënë Asipi.

Veterani ka folur edhe për atë që e konsideron si një betejë të pambyllur brenda Kosovës.

“Për 26 vjet kemi heshtur e duruar, mirëpo durimit i vjen fundi. Mbaruam luftën me Serbinë, por nuk mbaruam luftën me vetveten. Kosova është i vetmi shembull në botë ku tradhtarët, kriminelët, hajnat dhe spiunët i dënojnë çlirimtarët”.

Të ngjashme