Pas 7 ditësh nga Haga në Prishtinë: Veteranët me emocione: Na fal, nuk ta prumë atë që deshëm

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Rreth 50 luftëtarë, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, të cilët shtatë ditë më parë ishin nisur drejt Hagës për të qenë në krah të ish-krerëve të UÇK-së në ditën e shpalljes së aktgjykimit, janë kthyer sot në Kosovë.

Pas kthimit, ata morën pjesë edhe në protestën e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Dy prej veteranëve u panë të emocionuar gjatë protestës, ku edhe folën për përvojën e tyre dhe e cilësuan procesin gjyqësor në Hagë si të padrejtë.

Njëri prej tyre tha se Gjykata Speciale edhe kësaj radhe dëshmoi se gjykon pa fakte.

“Shfrytëzoj rastin, në emër të të gjithë këtyre burrave që bënë një sakrificë, për të kujtuar se kur u nisëm për në Hagë, shkuam dhe morëm bekimin te komandanti Zahir Pajaziti. Kur u kthyem, i thamë,‘Na fal, nuk ta prumë atë që deshëm’”, u shpreh ai.

Tjetri me lot në sy tha se kjo gjykatë edhe kësaj radhe dëshmoi se gjykon pa fakte.

“Ajo gjykatë kriminale edhe kësaj radhe dëshmoi se gjykon pa fakte. Rreth 50 luftëtarë, invalidë dhe veteranë të UÇK-së kemi qenë për shtatë ditë në rrugëtim. Sot, pas shtatë ditësh, kthehemi në Dardaninë tonë”, tha ai.

Të ngjashme