Wolt synon shtrirjen në çdo qytet të Kosovës, Dragoj: Konsumatorët u përshtatën shpejt

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 08:38 | Nga Drita Dërmaku

Me një klikim në një pajisje teknologjike, shërbimi që kërkon mund të trokasë në derën e shtëpisë dhe të zyrës. Ajo që dikur kërkonte kohë, lëvizje dhe pritje, sot mund të kryhet brenda pak minutash përmes një platforme digjitale.

Ky model shërbimi po gjen gjithnjë e më shumë përdorim edhe në Kosovë, ku Wolt, pas gati dy vitesh operimi, është zgjeruar në disa prej qyteteve kryesore dhe synon shtrirjen në të gjithë vendin. Drejtori i Përgjithshëm i Wolt për Shqipërinë dhe Kosovën, Lisandri Dragoj, thotë se pranimi i shërbimit nga konsumatorët ka qenë ndër arritjet kryesore të kompanisë, ndërsa edukimi i tregut dhe përshtatja me teknologjinë lokale kanë qenë ndër sfidat e para.

Dragoj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se arritja më e madhe e kompanisë në të dyja vendet është pranimi i shërbimit nga konsumatorët, ndërsa numri i abonentëve dhe kënaqësia e klientëve vazhdojnë të rriten.

“Nga ana e Wolt-it, arritja më e madhe do thoja unë është fakti që njerëzit dhe njerëzit qoftë në konsumatorët në Shqipëri dhe në Kosovë praktikisht e kanë pëlqyer shërbimin. Numri i abonentëve është duke u rritur. Kënaqësia e klientëve është e lartë. Kjo është arritja më e madhe. Dhe një nga sfidat kryesore që kemi pasur është edhe edukimi i tregut, sepse në Shqipëri dhe në Kosovë pjesa e shërbimit të delivery-t nuk ka qenë shumë familjar, nuk ka qenë shumë i përhapur. Njerëzit në, sidomos konsumatorët në Kosovë nuk është se kanë pasur platforma të mirëfillta delivery, qoftë për ushqimet apo për produktet e retail-it e me radhë. Kështu që kjo ka qenë sfida më e madhe: edukimi i tregut, edukimi i konsumatorit, edukimi i partnerëve, i bizneseve, se dhe bizneset hasin vështirësi me këtë proces sepse nuk janë mësuar me të pasurit po themi një dyqan online. Sepse kjo praktikisht është një dyqan virtual ku ti me biznesin tënd mund të dorëzosh, mund të shesësh po thejmy në një bazë konsumatorësh që janë shumë larg pikës fizike të biznesit”, ka deklaruar Dragoj.

Sipas tij, pritshmëritë e konsumatorëve dhe bizneseve kanë qenë të larta edhe për shkak të praktikës dhe thjeshtësisë që ofron platforma. Ndërsa ka përmendur edhe zgjerimin e operimit në qytetet e Kosovës.

“Do thoja që eksperienca e platformës në radhë të parë është e jashtëzakonshme, e bën jetën shumë të thjeshtë edhe është shumë praktike. Dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore dhe fakti që konsumatorët në Shqipëri dhe në Kosovë janë shumë të orientuar drejt teknologjisë. Domethënë, qasja ka qenë shumë pozitive ndaj platformës, ndaj shërbimit. Përshtatja ka qenë shumë e shpejtë. Ne në Kosovë jemi lansuar pothuajse përpara dy vitesh dhe tani që flasim jemi prezentë në qytetet kryesore: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, shumë shpejt do të jemi dhe në Pejë e kështu me radhë. Në Prizren po e po, domethënë shumë shpejt platforma është përhapur sepse qasja e konsumatorëve ka qenë shumë pozitive. Ajo që të mundëson platforma, qoftë për konsumatorin, qoftë për pjesën e bizneseve, është ndërlidhja e të dyja palëve me njëra-tjetrën në mënyrë që edhe ofrimi i shërbimit po themi të jetë një cilësi e lartë”, ka thënë ai.

Dragoj ka folur edhe për sfidat teknologjike me të cilat është përballur kompania në fillimet e operimit në Kosovë. Ai ka veçuar përshtatjen e Google Maps me infrastrukturën lokale, problem ky që, sipas tij, tashmë është tejkaluar.

“Ju që jetoni në Prishtinë për ditë e kuptoni që ka shumë vështirësi nga ana e teknologjisë, sidomos pjesa e përshtatjes së Google Maps me infrastrukturën lokale. Kjo ka qenë një nga vështirësitë do thoja unë në fillim, por që tashmë është tejkaluar sepse edhe këto platforma janë duke u përditësuar. Platforma e Wolt-it funksionon me, është e ndërlidhur me platformën e Google Maps, kështu që adresat janë të ndërlidhura po themi me platformat e delivery-t, kështu që kjo ka qenë në fillim si sfidë, por tashmë është do thoja e zgjidhur dhe eksperienca është aty ku duhet”, është shprehur Dragoj.

Një tjetër çështje që ai ka prekur është edhe fuqia punëtore. Dragoj ka thënë se rritja e shpejtë e biznesit dhe e numrit të porosive ka krijuar nevojë të vazhdueshme për punësim, ndërsa kompania, sipas tij, u jep prioritet punonjësve lokalë.

“Rritja e biznesit edhe e porosive ka qenë shumë e shpejtë dhe paralelisht me të vjen dhe nevoja për punësim, për forcë punëtore. Ne nuk bëjmë diferencime në kuptimin që mundësia i jepet e barabartë dhe prioritet normalisht kanë punonjësit lokalë, vendasit. Por në momentin që është e vështirë për të gjetur forcë punëtore me vendet lokale, normalisht adresohemi siç adresohen shumë biznese të tjera tek forca punëtore po themi që vjen nga shtetet e tjera. Ky është një fenomen jo i veçantë po themi për Shqipërinë apo për Kosovën, është diçka që vihet re në vendet e Bashkimit Evropian edhe në shumë vende të tjera. Unë do thoja që kjo është edhe një shenjë e zhvillimit të dhënave tona, duke qenë se ka vende të tjera të cilat gjejnë një ekonomi pak më të fortë dhe eksportojnë forcë punëtore”, ka deklaruar ai.

Duke krahasuar tregun kosovar me atë shqiptar, Dragoj ka thënë se në Shqipëri prezantimi i shërbimit ka qenë më i lehtë për shkak se konsumatorët dhe bizneset kishin më shumë përvojë me platformat e delivery-t. Në Kosovë, sipas tij, procesi i edukimit të tregut ishte më i vështirë, por përshtatja me platformat digjitale ishte më e shpejtë.

“Në Shqipëri ka qenë pak më e thjeshtë pjesa e prezantimit dhe edukimit të tregut, duke qenë se në Shqipëri tregu dhe konsumatorët ishin më familjarë dhe bizneset ishin familjare me platformat delivery. Kurse në Kosovë kjo ka qenë pak më e vështirë, por qasja e konsumatorëve ndaj platformave digjitale ishte akoma më e madhe në Kosovë, kështu që konsumatorët u përshtatën shumë shpejt. Në të dyja rastet unë do thoja që është një histori suksesi, duke parë pjesën e volumit dhe përshtatjes që ka pasur shërbimi deri tani, qoftë për konsumatorët, edhe për bizneset”, ka thënë Dragoj.

Ai ka folur edhe për marrëdhënien me bizneset dhe për skepticizmin që mund të ketë ekzistuar fillimisht lidhur me pagesën e komisioneve për përdorimin e platformës.

“Ka pasur raste që më thonë: ‘Shiko se kjo platformë nuk është se është shumë komplekse, domethënë është diçka shumë e thjeshtë, pse bizneset duhet të paguajnë komision apo ndërmjetësim?’ Të jemi të sinqertë, ky është objektivi kryesor: që ne kjo platformë, që ky shërbim të perceptohet si i thjeshtë dhe jo i komplikuar. Domethënë kjo është një arritje që bizneset ta perceptojnë si një shërbim të thjeshtë. Por dua ta theksoj që pas këtij shërbimi, pas kësaj platforme punojnë me mijëra inxhinierë dhe kanë me vite që punojnë dhe vazhdojnë punojnë për ta zhvilluar platformën, që kjo ka arritur deri në këtë pikë dhe nuk është një shërbim që vjen pa kosto, por është një shërbim që është i vështirë për t’u menaxhuar po themi dhe për të garantuar atë cilësinë e shërbimit që ne kemi sot qoftë për bizneset edhe për konsumatorët”, ka deklaruar ai.

Sipas Dragoj, bizneset që i bashkohen platformës përfitojnë edhe nga qasja te klientët e rinj, të cilët përmes Wolt-it mund të njihen me produkte dhe biznese që më parë nuk i kanë vizituar.

“Ajo që vihet re është fakti që bizneset që bëhen pjesë e platformës shikojnë rritje të shitjeve, shikojnë që ka klientë të rinj që i bashkohen dhe blejnë produktet e tyre, edhe klientët që nuk e njohin biznesin prezantohen nëpërmjet platformës dhe pastaj mund ta vizitojnë dhe fizikisht biznesin. Domethënë është një vlerë e shtuar në shumë aspekte”, ka thënë ai.

Sa i përket planeve të ardhshme, Dragoj ka bërë të ditur se objektivi i kompanisë është shtrirja e Wolt-it në çdo qytet të Kosovës, ndërsa paralajmëroi edhe prezantimin e shërbimeve të reja gjatë vitit të ardhshëm.

“E para, platforma do të jetë prezente në çdo qytet. Qëllimi, objektivi i madh afatshkurtër është që të shpërndahet në çdo qytet dhe vitin që vjen mendoj që do fillojmë të prezantojmë shërbime të reja që do të jenë vlerë e shtuar për konsumatorët, por qoftë edhe për bizneset. Një ndër këto shërbime është shërbimi Wolt Drive, ku bizneset mund të përdorin flotën e korrierëve të Wolt-it për shërbimet e tyre delivery. Ky është një shërbim i ri, ne po e lansojmë tani rishtazi dhe është një mundësi shumë e mirë për bizneset që kanë platformat e tyre e-commerce online dhe duan të bëjnë delivery tek klientët e tyre, por nuk kanë një flotë korrierësh për ta bërë delivery-n vetë dhe në këtë mënyrë, për të qenë sa më efiçentë, mund të përdorin flotën dhe ekosistemin e korrierëve të Wolt-it”, ka shtuar Dragoj.

Të ngjashme