Raporti i Departamentit Amerikan: Institucionet dështuan në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Kosova vazhdon të mos i përmbushë plotësisht standardet minimale për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, pavarësisht përpjekjeve të shtuara të institucioneve.

Kështu thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore.

Sipas raportit, Kosova ka mbetur në Nivelin 2, pasi ka shënuar përparim në disa fusha, përfshirë dënimin e më shumë trafikantëve dhe rritjen e financimit për ndihmën ndaj viktimave dhe parandalimin e trafikimit.

“Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato. Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, qeveria ka shënuar rritje të përgjithshme të përpjekjeve, prandaj Kosova ka mbetur në Nivelin 2 (Tier 2). Këto përpjekje përfshijnë dënimin e një numri më të madh të trafikantëve dhe shqiptimin e më shumë dënimeve me burgim ndaj tyre”, thuhet në raport.

Megjithatë, raporti evidenton një sërë dështimesh të institucioneve të Kosovës, veçanërisht në hetimin e rasteve të lypjes së detyruar të fëmijëve, shqiptimin e dënimeve dhe ofrimin e ndihmës afatgjatë për viktimat.

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se Policia e Kosovës vazhdon t’i trajtojë rastet e lypjes së detyruar të fëmijëve nga prindërit si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend që t’i hetojë si trafikim me qenie njerëzore.

Sipas raportit, Policia arsyetohet se fëmijët që shoqërohen nga prindërit nuk e përmbushin përkufizimin e trafikimit sipas legjislacionit të Kosovës.

Raporti vëren se kjo qasje dhe procedurat e pamjaftueshme për identifikimin e viktimave rrezikojnë që fëmijët e shfrytëzuar të mos trajtohen si viktima të trafikimit, por të ndëshkohen për veprime të kundërligjshme që kanë kryer si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, gjatë vitit 2025, Policia hetoi katër raste të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me pesë raste në vitin 2024.

Ndërkohë, autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave të dyshuar për trafikim, nga 49 sa ishin në vitin paraprak.

Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, krahasuar me vetëm një të dënuar në vitin 2024.

Të ngjashme