Gani Geci u lirua pasi pranoi fajësinë, avokati i tij jep detaje

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Gani Gecit, Besnik Berisha ka pretenduar se klienti i tij u përball me presion për të pranuar fajësinë, në këmbim të mundësisë për t’u liruar nga paraburgimi.

Në një reagim publik, avokati ka thënë se e ka revokuar autorizimin si mbrojtës, pasi, sipas pretendimeve të tij, procedura në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e vuri Gecin përballë zgjedhjes mes vazhdimit të paraburgimit dhe pranimit të fajësisë.

Avokati ka pretenduar se gjatë marrjes së parë në pyetje, e cila përfundoi në orën 12:36, Geci e mohoi kanosjen. Sipas tij, në orën 13:05 nisi marrja e dytë në pyetje, ndërsa pesë minuta më vonë ai revokoi autorizimin dhe u largua. Në orën 13:16, sipas avokatit, procedura përfundoi me pranimin e përgjegjësisë penale dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe institucionet kompetente që të hetojnë rrethanat e procedurës, duke përfshirë pretendimin se paraburgimi është përdorur si mjet presioni për sigurimin e pranimit të fajësisë.

“Fajësia duhet të provohet për t’ia marrë njeriut lirinë, jo të pranohet për t’ia kthyer atë!”, ka shkruar avokati.

Gani Geci ishte në paraburgim nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj dhe është liruar pas zhvillimeve të fundit në Prokurori.

Të ngjashme