Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe mërgatës, që më 25 tetor të votojnë për Koalicionin Shqiptar, me numrin 17, në zgjedhjet për përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
Përmes një postimi, Gërvalla ka thënë se shqiptarët e këtyre tri komunave janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe se të drejtat e tyre duhet të mbrohen.
“Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë pjesë e pandashme e kombit tonë, me të drejta që nuk mund t’u mohohen nga ata që shkelin demokracinë dhe vlerat evropiane, me dinjitet që nuk mund të nëpërkëmbet nga askush dhe me aspirata që duhet të mbrohen fort e pa kompromis, brez pas brezi”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë është i domosdoshëm, duke përmendur atë që e ka cilësuar si diskriminim sistematik dhe mohim të të drejtave nga shteti serb.
“Përballë diskriminimit sistematik, mohimit të të drejtave dhe padrejtësive të vazhdueshme nga shteti serb, përfaqësimi sa më i fuqishëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë është domosdoshmëri”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka kërkuar që shkeljet e pretenduara të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mos mbeten jashtë vëmendjes së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
“Shkeljet e vazhdueshme ndaj të drejtave të tyre nuk mund të trajtohen si çështje dytësore, as të mbeten jashtë vëmendjes së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Kjo nuk është vetëm çështje e tri komunave, por edhe përgjegjësi e jona për të mos lejuar kurrë që padrejtësitë ndaj shqiptarëve të mbeten pa zë”, ka shkruar ministrja.
Gërvalla u ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në votime, nga Lugina e Preshevës deri te diaspora.
“Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni si kurrë më parë, nga Lugina e deri në mërgatë, që më 25 tetor të shfrytëzoni të drejtën tuaj të votës. Sa më masive pjesëmarrja, aq më i fuqishëm zëri i shqiptarëve dhe aq më dinjitoz përballë padrejtësive përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Serbisë”, ka theksuar ajo.
Postimin e saj, Gërvalla e ka përmbyllur me thirrjen për votimin e listës së përbashkët shqiptare.
“Më 25 tetor, votoni listën e përbashkët shqiptare me numër 17. Votoni Koalicionin Shqiptar!”, ka shkruar Gërvalla.