Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Banka Botërore kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë, me synimin për të transformuar zonat industriale në hapësira të qëndrueshme të prodhimit, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se zhvillimi industrial nuk duhet të matet vetëm përmes kapaciteteve prodhuese, por edhe përmes mënyrës se si shfrytëzohen burimet, energjia dhe si menaxhohen mbeturinat.
“Industria e së ardhmes nuk matet vetëm me atë se sa prodhon, por edhe me mënyrën se si prodhon, respektivisht me aspektet e shfrytëzimit të energjisë, mbeturinat dhe menaxhimin e tyre. Vendosja e komponentës mjedisore në qendër të zhvillimit industrial, përveçse është orientim i politikave tona zhvillimore, është domosdoshmëri për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve dhe integrimin në tregjet evropiane”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit Qeveria e Kosovës ka investuar në zhvillimin e parqeve industriale, infrastrukturë dhe krijimin e hapësirave për avancimin e bizneseve, ndërsa marrëveshja e re synon ta çojë këtë proces në një fazë tjetër.
“Gjatë viteve të fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar në zhvillimin e parqeve industriale, në infrastrukturë dhe krijimin e hapësirave për avancimin e bizneseve dhe progresin tonë. Tani synojmë ta nisim këtë proces një hap më tej, t’i shndërrojmë këto hapësira në qendra të prodhimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik e social”, u shpreh ministrja.
Kusari-Lila tha se ky vizion përputhet edhe me potencialin ekonomik të identifikuar në raportin e publikuar së fundmi nga IFC dhe Banka Botërore, Country Private Sector Diagnosis.
Sipas saj, raporti vlerëson se përmes reformave të synuara në sektorin e energjisë së ripërtërishme, shërbimeve të biznesit dhe prodhimit të komponentëve të ndërtimit, Kosova ka potencial të mobilizojë investime private në vlerë prej 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojë nga 61 mijë deri në 87 mijë vende të reja pune, direkte dhe indirekte, në periudhën afatmesme.
Ministrja theksoi se Eko-Parqet Industriale do t’u ofrojnë bizneseve infrastrukturë moderne dhe të integruar, qasje më të besueshme në energji, ujë, transport dhe shërbime të përbashkëta, si dhe mundësi për përdorim më efikas të energjisë dhe burimeve të ripërtërishme.
Një ndër elementet kryesore të këtij transformimi, sipas saj, është ekonomia qarkore dhe simbioza industriale, përmes së cilës ndërmarrjet mund të bashkëpunojnë duke shfrytëzuar mbetjet dhe burimet e njëra-tjetrës.
“Një rëndësi të veçantë në këtë transformim ka ekonomia qarkore. Synojmë të kalojmë nga modeli linear i prodhimit dhe konsumit drejt një modeli ku materialet dhe burimet mbahen në përdorim sa më gjatë, ripërtërihen dhe riciklohen. Përmes simbiozës industriale, ndërmarrjet brenda një zone mund të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga kapacitetet e njëra-tjetrës. Mbetjet e një ndërmarrjeje mund të bëhen lëndë e parë për një tjetër. Kjo nënkupton më pak humbje, më pak ndotje, më pak kosto dhe më shumë vlerë të shtuar për ekonominë tonë”, theksoi Kusari-Lila.
Në anën tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të Eko-Parqeve Industriale, duke theksuar se ato janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe mundësitë për qasje në tregun e përbashkët evropian.
Ai rikujtoi se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor parasheh gjashtë miliardë euro mbështetje shtesë për rajonin, prej të cilave 882 milionë euro për Kosovën, por nënvizoi se qëllimi kryesor i kësaj nisme është krijimi i mundësive për integrim më të madh ekonomik dhe qasje në tregun e vetëm të BE-së.
“Bashkimi Evropian para pak vitesh paraqiti të ashtuquajturin Plan të Rritjes, përmes të cilit shtuam jo vetëm gjashtë miliardë euro burime shtesë për Ballkanin Perëndimor, përfshirë 882 milionë euro për Kosovën, por ideja themelore pas kësaj është qasja në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian. Kjo është forca shtytëse se si mund të gjenerohet vërtet rritja, përtej hapësirës fiskale që mund t’i sigurojmë për të lehtësuar rritjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi Schuebel.
Sipas ambasadorit, qasja në tregun evropian nuk është automatike dhe nuk duhet të kuptohet si një mundësi që u ofrohet vendeve pa kushte, pasi kërkon konkurrueshmëri të lartë dhe aftësi për të përmbushur standardet e tregut.
“Qasja në tregun e vetëm të BE-së nuk është diçka që ju serviret në pjatë të argjendtë, për të thënë se ky është tani një rajon i mbrojtur dhe ju keni qasje në të. Përkundrazi, kjo kërkon konkurrueshmëri të lartë, sepse përndryshe mund të ketë efekt të kundërt kur nuk keni më tregje të mbrojtura dhe më pas e keni më të vështirë qasjen në tregjet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Schuebel theksoi se në fund është vetë treguesi ai që përcakton nëse një vend është në gjendje të tërheqë investitorë, të eksportojë produkte dhe të zhvillojë prodhimin vendor, duke zëvendësuar një pjesë të importeve.
“Është tregu ai që vendos nëse jeni në gjendje të tërhiqni investitorë, nëse jeni në gjendje të eksportoni mallra dhe nëse jeni në gjendje të prodhoni mallra për tregun e Kosovës në vend të importeve. Prandaj, mendoj se rëndësia e parqeve eko-industriale është e jashtëzakonshme, sepse ju lejon vërtet të keni një angazhim të përbashkët për një të ardhme ekonomike konkurruese, e cila është efikase në burime dhe e qëndrueshme. Këta përbërës duhet të vijnë së bashku”, u shpreh ambasadori.
Ai shtoi se zhvillimi i parqeve eko-industriale nuk është vetëm një qasje që Bashkimi Evropian e rekomandon për Kosovën, por një model që po promovohet dhe zbatohet edhe brenda vetë vendeve anëtare të BE-së.
“Kjo është një qasje që po promovohet shumë brenda Bashkimit Evropian tani. Pra, ne nuk po predikojmë këtu diçka që mendojmë se është një qasje e mirë vetëm për Kosovën, por është e njëjta qasje që po tentojmë ta zbatojmë, shpesh me vështirësi, duhet ta pranoj, edhe në vendin tim, në Austri, për shembull. Kjo nuk është e lehtë, sepse bëhet fjalë gjithmonë për përpjekjen për të konkurruar me vende të tjera dhe tregje të tjera, të cilat mund të mos i vendosin standardet mjedisore në plan të parë dhe mund të kenë një avantazh krahasues kur bëhet fjalë për kostot”, shtoi Schuebel.


