Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për përfshirje në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit financiar dhe ekonomik të vendit me Bashkimin Evropian.
Dorëzimi i aplikimit përfaqëson një etapë të rëndësishme të reformave të ndërmarra nga BQK-ja në kuadër të mandatit të saj dhe të Planit Strategjik 2024-2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA është përcaktuar si një nga objektivat institucionale. Ky zhvillim është rezultat i punës së vazhdueshme gjatë viteve të fundit për përafrimin e kornizës ligjore dhe rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Përfshirja e Kosovës në SEPA do të krijonte mundësi për realizimin e pagesave ndërkufitare në euro në mënyrë më efikase, me kosto më të ulët dhe kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset. Ky proces ka rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës, duke marrë parasysh lidhjet e saj ekonomike dhe financiare me vendet evropiane, vëllimin e remitancave dhe nevojën për lehtësimin e transaksioneve ndërkufitare.
Reformat ligjore, rregullative dhe institucionale
Në funksion të përgatitjes së aplikimit, BQK-ja ka udhëhequr një proces gjithëpërfshirës reformash, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, janë avancuar dhe përfunduar hapa të rëndësishëm të përafrimit të legjislacionit me kërkesat evropiane, përfshirë Ligjin për Shërbimet e Pagesave, Ligjin për Bankat dhe ndryshimet në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML/CFT).
Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përfundimit të procedurave përkatëse ligjore, legjislacioni i nevojshëm është plotësuar me aktet rregullative të miratuara dhe të publikuara nga BQK-ja, duke avancuar përputhshmërinë e kornizës vendore me kërkesat për aplikim në SEPA.
Një etapë e rëndësishme e këtij procesi ishte dorëzimi i paraaplikimit në tetor 2024, i cili mundësoi fillimin e konsultimeve dhe vlerësimeve paraprake me institucionet përkatëse evropiane. Që nga ajo periudhë, BQK-ja ka vazhduar punën për adresimin e kërkesave, përgatitjen e dokumentacionit dhe përmbushjen e kushteve ligjore, rregullative dhe teknike.
Pavarësisht vonesave në proceset legjislative dhe shqyrtimit kushtetues të ligjeve përkatëse, përgatitjet e BQK-së kanë vazhduar, në koordinim me institucionet përgjegjëse, deri në finalizimin e hapave të nevojshëm për dorëzimin e aplikimit.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbështetja ndërkombëtare
Ky zhvillim pasqyron angazhimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional të BQK-së me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera përgjegjëse, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse, për avancimin e reformave të nevojshme për integrimin financiar evropian.
BQK-ja shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve vendore, si dhe për kontributin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Bankës Botërore, për asistencën teknike në modernizimin e sistemit të pagesave dhe zhvillimin e kornizës ligjore e rregullative.
Njëkohësisht, BQK-ja vlerëson bashkëpunimin dhe dialogun me Komisionin Evropian dhe institucionet përkatëse evropiane, si dhe mbështetjen e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në avancimin e reformave dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Procesi pas dorëzimit të aplikimit
Dorëzimi i aplikimit shënon fillimin e fazës së shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane dhe nuk nënkupton pranimin automatik të Kosovës në SEPA.
Aplikimi do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të përputhshmërisë së kornizës ligjore dhe rregullative me kërkesat për përfshirje në hapësirën gjeografike të SEPA-s. Pas një vendimi pozitiv, do të vijojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.
BQK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet evropiane, bankat komerciale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave për përgatitjet teknike dhe operacionale që kërkohen për integrimin e plotë në skemat SEPA.
Dorëzimi i aplikimit për SEPA përfaqëson një rezultat konkret të reformave të ndërmarra dhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian, në funksion të zhvillimit ekonomik, konkurrueshmërisë dhe përfitimeve afatgjata për qytetarët dhe bizneset e Republikës së Kosovës.