Nisin përgatitjet e protestës kundër vrasjes së grave

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Përgatitjet për protestën e sotme me “Kundër vrasjes së grave – femicidi është urgjencë kombëtare”, nga Rrjeti i Grave të Kosovës veçse kanë nisur.

Në shesh protestuesit kanë improvizuar sëpata me gjak dhe drunj në tokë.

Ndërkohë, protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.

Përmes një komunikate, RRG-ja ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave.

Organizata ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës, ndaj institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Ndër kërkesat kryesore të protestës janë ndryshimi i kodit penal dhe përcaktimi i femicidit si vepër penale e veçantë, krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.

Po ashtu, RRGK-ja kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit, koordinim më të mirë ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet përgjegjëse.

Në thirrjen e saj, organizata ka theksuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.

Të ngjashme