Dhjetëra mijëra punëtorë, pronarë të tokave e kreditorë, do të vazhdojnë të pësojnë me Projektligjin e ri mbi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nëse miratohet në formën që është dërguar në Kuvend nga ana e Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo, pasi lëndët e tyre do të vazhdojnë të trajtohen vetëm në kuadër të Dhomës së Posaçme, duke mos dhënë mundësi që ankesa e tyre të trajtohet në Gjykatën Supreme, ashtu siç u mundësohet atyre që lëndët trajtohen në gjykatat themelore.
Avokati Bjetush Isufi, i cili ka 10 vjet që merret me problemet e privatizimit, ka thënë se ligji si i tillë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, ai rrënon parimet e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe duke mos siguruar standardet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kanë të bëjnë me gjykim të drejtë, të paanshëm dhe kërkesën për mjete të efektshme juridike.