Pas rritjes së rasteve me COVID – Deklarohet Ministria e Shëndetësisë

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Ditët e fundit është rritur numri i rasteve me virusin COVID-19.

Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kjo situatë nuk lë hapësirë për shqetësime dhe ndryshim të masave. Ata bëjnë të ditur se ka raste të infektimeve por që situata është e menaxhueshme dhe pa ngarkesa të veçanta.

“IKSHPK po e monitoron situatën, institucionet janë në gjendje të ofrojnë shërbime dhe çdo masë adekuate është duke u ndërmarrë” deklaron MSh për Indeksonline.

Ministria ka shtuar se variantet qarkulluese të këtij virusi janë të njëjtat me ato të rajonit, teksa trendi i infektimeve në ditët në vijim nuk pritet të ketë rritje enorme të infektimeve.

“Do të ketë edhe me tej raste, por parashikimet janë që nuk do te shkojnë përtej mesatareve te ditëve të fundit” deklaron MSh.

Në anën tjetër, pavarësisht se virusi është akoma prezent në mesin e qytetarëve, nga Ministria pohojnë se do të ishte më mirë të kishte më shumë të interesuar për vaksinim, sidomos ata që janë në grupet me rrezikshmëri më të madhe nga infektimi.

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar se çdo vaksinë që jipet është me afat dhe se në asnjë rrethanë nuk do të administrohen vaksina pa afat.

Në 24 orët e fundit, IKShPK ka konfirmuar 29 raste të reja të infektimit, teksa numri i rasteve aktive është 175.

Të ngjashme