A e bëri Pakoja e Ahtisaarit zgjidhjen më të mirë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Prishtinë | 25 Qer 2021 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Nënsekretari i Finlandës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kai Sauer, ka treguar se cila është arsyeja e vizitës së tij në Kosovë.

“Unë kam qenë këtu në muajin mars të vitit 2020, ishte vizita e fundit para se u ndaluan udhëtimet dhe tani është vizita ime e parë e punës pas më shumë se një viti. Arsyeja pse jam këtu në thelb është që Qeveria e Finlandës është e interesuar që të kemi marrëdhënie të mira me Kosovën dhe po ashtu jemi të interesuar të mbështesim përpjekjet e BE-së për të promovuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë kam një sfond të gjatë profesional në Kosovë. Kam qenë me UNMIK-un, nga viti 2003 deri në vitin 2005, kam pasë gjithashtu kënaqësinë të ndihmoj presidentin Ahtisaari kur po punonte në procesin për të ardhmen e statusit të Kosovës. Kam interes të lartë për Kosovën”.

Sauer, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka deklaruar se nuk mund të komentojë për faktin se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Janë 22 shtete të BE-së të cilat e kanë njohur Kosovën dhe një numër relativisht i lartë i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Fakti që Kosova nuk është e njohur universalisht nënkupton që ka disa punë të pakryera të cilat shpresoj që dialogu i lehtësuar nga BE-ja mund të çojë drejt një situate të papërmirësuar. Çështjet e mëdha që akoma janë pezull janë që statusi i Kosovës nuk është i njohur universalisht, nuk keni anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, nuk keni qasje në shumë institucione ndërkombëtare dhe keni marrëdhënie me Serbinë të cilat duhet të normalizohen”.

Nënsekretari i shtetit finlandez ka thënë se në takimet e tij me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe akterët tjerë politikë në Kosovë kanë biseduar për dialogun me Serbinë, por jo edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ish-Këshilltari i Lartë i Martti Ahtisaarit ka treguar se si e ka paraparë Pakoja e Ahtisaarit krijimin e këtij asociacioni, pa u lëshuar në shumë detaje.

“Mund të them se i tërë Plani i Ahtisaarit ishte produkt ku i tërë komuniteti ndërkombëtar ka marrë pjesë në përgatitjen e tij. Kemi pasë shumë ekspertizë sa i përket të drejtave të pakicave, decentralizimin, trashëgiminë kulturore dhe e gjithë kjo ekspertizë është konsoliduar në Planin e Ahtisaarit në mënyrë që të përfaqësojë shumë standarde dhe kritere ndërkombëtare. Është një dokument cilësor dhe i tillë është edhe mendimi i ekspertëve”.

“Nëse e lexoni planin aty qëndron. Unë nuk kam ndonjë shpjegim ose interpretim të mëtejmë referuar decentralizimit apo komunave serbe. Mendoj se plani flet vetë”.

Të ngjashme