AAK-PSD u bën thirrje simpatizantëve të mos i shkelin rregullat e fushatës

Prishtinë | 25 Sht 2019 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni AAK-PSD ka kërkuar nga qytetarët të mos i shkelin rregullat e fushatës të gjithë ata që përfshihen në të.

“Si koalicion fitues, me programin më serioz, me të nominuarin për Kryeministër, z. Ramush Haradinaj, AAK dhe PSD kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fushatën zgjedhore që ka nisur sot. Ne besojmë që fitorja jonë në 6 tetor është e pa alternativë, prandaj koalicioni ynë edhe fushatën do ta bëjë si subjekt fitues, duke qenë se kemi çfarë të ofrojmë dhe kemi çfarë të dëshmojmë me 18 muajt e kaluar në qeverisje”, thuhet në komunikatë.

“Në këtë frymë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bën thirrje të gjithë anëtarëve, kandidatëve dhe simpatizantëve të saj që përfshihen në fushatën e këtyre zgjedhje, që të kenë kujdes dhe të mos shkelin Rregullën Zgjedhore që përcakton dhe definon qartë mënyrën se si duhet bërë fushatën, e cila është nxjerrë duke u bazuar në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.

“Rregulla Zgjedhore me nr 13/2013, rregullon organizmin dhe mbajtjen e tubimeve publike, përmbajtjen e materialeve të shtypura të fushatës zgjedhore, rastet e veprimeve para ditës së zgjedhjeve, rolin e pjesëtarëve të sigurisë gjatë tubimeve publike, rolin e KKZ-së, të drejtat e subjekteve politike dhe sanksionet”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor. Prandaj, AAK bën thirrje që fushata zgjedhore të zhvillohet në kushtet e një frymë demokratike, të barabartë, duke shpalosur programin qeverisës të koalicionit AAK-PSD, që përbën ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe jo me veprime të pahijshme që dëmtojnë procesin zgjedhor”.

Të ngjashme