Abdixhiku pas takimit me emisarët: Kurti s’ka gatishmëri për dakordim, Osmani të jetë më e zëshme në këtë moment kritik

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 12:42 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se Kosova po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, shqetësuese është edhe mosgatishmëria e Kurtit që të koordinohet me aleatët. Ai madje tha se Kosova mund të ketë edhe pasoja të tjera nga ShBA-ja, BE-ja e NATO.

Abdixhiku shpreson që Kurti të reflektojë, ndërsa i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të jetë “më e qartë dhe më e zëshme në këtë moment kritik për Kosovën”.

Këto komente ai i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Po futemi në një situatë bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj dhe të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë”.

“Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA, BE dhe NATO. Një gjendje të tillë, si LDK, e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve ne kuvend, veprimet tona do të jenë publike, por në të njëjtën kohë shpresojmë që mediat ta transmetojnë sa ma qartë gjendjen e Kosovës sot, si gjendje e paparë për ne në këto 33 vite përpjekje për liri dhe pavarësi, dhe qytetarët e Kosovës të kuptojnë përtej popullizmit, për rrugën që kryeministri Kurti po e fut Kosovën”.

“Unë shpresoj që ai të reflektojë dhe sërish i bëj thirrje presidentes të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme