Abdixhiku për Kurtin: Po amniston Martin Berishajn e lartëson Ivanoviqin, ky është skandal

Prishtinë | 23 Jan 2023 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar dy zhvillimet e fundit të cilat si të përbashkët e kanë qeverinë Kurti.

Abdixhiku ka shkruar për rastin Martin Berishaj dhe lidhur me politikanin serb, Oliver Ivanoviq, për të cilin kryeministri pati fjalë të mira.

Abdixhiku të parin e ka renditur aferën e Martin Berishajt, duke e vlerësuar se pushteti po e mbron fuqishëm, dhe se ligji nuk po vlen.

“I pari na vie si një skandal korruptiv nga i cili distancohen secili politikan nē Slloveni, por tek i cili bashkohen secili pushtetar në Kosovë. Martin Berishaj ka tërhequr plot 1.4 milionë euro para të gatshme në njërën nga bankat e Prishtinës. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë. Prandaj ambasadori ka dy kallëzime të ndara penale. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh; dhe një për fshehje të pasurisë. Ai vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve vetëm sepse ka lidhje të ngushta politike me ta. Ligji për shokë të pushtetit vazhdon të mos vlejë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjete facebook.

E temën e dytë për të cilën ka shkruar Abdixhiku, janë deklaratat e Kurtit për politikanin serb, Oliver Ivanoviq.

“I dyti na vie si rehabilitim i një krimineli lufte. Oliver Ivanoviq ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit. Si prijës i formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’ ai kishte organizuar dhe urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë para dhe pas luftës. Sot, ai cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’. 31 civil të vrarë! 31 shqiptarë të vrarë nga njeriu multietnik i pushtetit. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme se kaq?”, ka shkruar më tutje kryetari i LDK-së.

Në fund, Abdixhiku ka pyetur se çfarë ndryshimi është ky në Kosovë, ku sipas tij, amnistohen të korruptuarit dhe kriminelët e luftës.

“A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit vetem sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend? Skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit. Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkimfalje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit. Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!”,përfundon statusi i Lumir Abdixhikut.

Të ngjashme