Abdixhiku për marrëveshjen e 27 shkurtit: Lëshimi më i madh i bërë në dialog

Prishtinë | 04 Mar 2023 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës në Gjilan ku u shënua 33-vjetori i themelimit të degës së kësaj partie në këtë komunë, ka folur për marrëveshjen e 27 shkurtit mes Kosovës e Serbisë.

Abdixhiku ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e tij dhe të LDK-së lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, duke e cilësuar si lëshimin më të madh dhe gabim historik në procesin e dialogut.

““Pa paragjykim ndaj statusit” – kështu nisë marrëveshja e Kurtit me Vuçiç. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik. Ne pritëm një marrëveshje për njohje, ky na solli një që i vë dykuptimësi statusit politik të vendit tonë”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Ai po ashtu tha se kryeministri nuk ka folur asnjëherë për kapërcimin e trashëgimisë mbi të kaluarën. Ka folur gjithnjë për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën, por tashmë në këtë dokument ai pajtohet të tejkalojë trashëgiminë e së kaluarës.

“Dhe jo vetëm kaq. Me lehtësi të jashtëzakonshme ai u pajtua të tejkalojë trashëgiminë e së shkuarës me Serbinë. Nuk tejkalohet asnjë trashëgimi pa ballafaqim. Nuk kapërcehet trashëgimia e Serbisë në raport me Kosovën me dy rreshta në një marrëveshje”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Abdixhiku.

Ai e ka vlerësuar marrëveshjen të rrezikshme për vendin tonë.

“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.

Në Gjilan kryetari Abdixhiku dëgjoi nga afër për problemet e qytetarëve me të cilat po përballën përfshirë krizën ekonomike, rritjen e çmimeve dhe problemet tjera në shumë sektorë, si dhe prezantoi konkretisht idetë dhe alternativën se si duhet zgjidhen këto probleme. Cikli “LDK ju dëgjon” po vazhdon në secilin qytet dhe padyshim që zëri qytetar, problemet e sfidat e tyre do të adresohen në planin qeverisës së LDK-së.

Të ngjashme