Abrashi takon drejtorin e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Ekzekuztiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku është pritur në takim nga Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ku është diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Mazreku ka njoftuar Ministrin Abrashi lidhur me domosdoshmërinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Automjetet, nevojën për rishikimin e Strategjisë Rrugore dhe Planin e Veprimit, digjitalizim e sigurisë në rrugëve dhe zhvillimin e kampanjave të përbashkëta për rritjen e vetëdijësimit të qytetarëve për sigurinë në trafik.

Ndryshimet legjislative përkatëse përfshijnë vlerësimin e heqjes së pengesave dhe kushtëzimeve të ndryshme për qytetarët në regjistrimin e mjeteve motorike, siç janë ato të pagesës së gjobave dhe taksave komunale, bartjen e periudhës së regjistrimit në pronarin e ri në rastin e shitblerjes së mjetit motoric dhe çështje të tjera të ngjashme. Rishikimi i Strategjisë Rrugore dhe Planit të Veprimit ka për qëllim përfshirjen më të gjërë të palëve të interesit në dhënien e kontributit të tyre në marrjen e masave efikase për të krijuar siguri më të lartë për qytetarët, ku do të kenë mundësinë e përfaqësimit në këtë proces edhe përfaqësuesit sectorial, organizatat përfaqësuese të kontrollave teknike, autoshkollave dhe të tjerë.

Sa i përket digjitalizimit, duke qenë se në vitet e fundit, sipas statistikave zyrtare numri i mjeteve motorike të pasiguruara e të paregjistruara është rritur dukshëm, do të vendosen pajisjet digjitale të cilat do të detektojnë këto mjete nëpër të gjitha hyrje-daljet e qyteteve të Republikës së Kosovës dhe brenda tyre. Ndërkaq, kampanjat do të fokusohen në rritjen e vetëdijes së qytetarëve në respektimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre gjatë pjesëmarrjes në trafik.

Për realizimin e këtij bashkëpunimi, palët janë zotuar që në ditët në vijim të nënshkruajnë një Memoranduim Bashkëpunimi ku do të trajtohen temat si më sipër dhe përgjegjësitë institucionale në këtë drejtim.

Të ngjashme