AEK-u reagon për banerin “Kosova është Shqipëri”

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Klubi grek i futbollit, AEK, ka reaguar për banerin “Kosova është Shqipëri”, të shfaqur të enjten gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës me Ajaxin.

AEK-u i Athinës ka dënuar shfaqjen e këtij mesazhi dhe ka paralajmëruar largimin e përjetshëm nga stadiumi të përgjegjësve. Baneri, që bëri bujë të jashtëzakonshme, është shfaqur nga tifozë të AEK-ut.

Tifozët grekë njihen për qëndrime anti-Kosovë, por kishte një ndryshim rrënjësor në qasje nga tifozët e AEK-ut të enjten mbrëma. Dhe klubi i famshëm grek është distancuar të premten nga ai veprim.

AEK-u ka “shprehur neveri dhe ka dënuar shfaqjen për pak sekonda të banerit me përmbajtje ekstreme nacionaliste”.

Sipas komunikatës, baneri i shfaqur nuk ka të bëjë asgjë me historinë e AEK-ut dhe atë që përfaqëson klubi.

“AEK-u nuk ka nevojë që të dëshmojë asgjë më fjalë pasi e ka bërë me vepra, në mënyrë të padiskutueshme dhe me nisma që asnjë grup tjetër nuk mori kundër luftës”, ka shkruar klubi athinas.

AEK-u e vlerësoi trishtuese dhe idninjuese shfaqjen e banerit, ndërsa ka thënë se nuk do të qëndrojë pa reaguar. Ka shkruar se ka nisur veprime për të gjetur përgjegjësit për “imazhin që me të drejtë trazoi masën e tifozëve tanë, që po ashtu e kanë kundërshtuar ashpër”.

AEK-u ka shkruar se do t’i gjejë përgjegjësit dhe atyre do t’u ndalohet përgjithmonë hyrja në stadiumin e klubit.

Reagimet për banerin ishin të shumta sidomos në Serbi. Mediat serbe e kanë vlerësuar “thikë pas shpine”.

Banerët “Kosova është Serbi” janë të shpeshtë në Greqi dhe disa vende të tjera.

Të ngjashme