Agani: Shqetësuese largimi i profesionistëve shëndetësorë – sistemi shëndetësor i ngulfatur dhe në konfuzion

Prishtinë | 24 Mar 2024 | 10:00 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se largimi i profesionistëve shëndetësorë nga vendi është një dukuri brengosëse dhe paralajmëron se brenda disa vitesh vendi mund të përballet me mungesë serioze të ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

Agani ka thëna se reforma në sistemin shëndetësor, e cila kishte filluar në vitin 2015 me mbështetje të Bankës Botërore e FMN-së, ishte ndalur dhe aktualisht tërë sistemi shëndetësor është i ngulfatur dhe gjendet në një gjendje të ngutisë dhe të konfuzionit.

“Dukuri tejet brengosëse dhe shumë fatkeqe, posaçërisht për mua si ish-ministër i Shëndetësisë i cili në vitin 2010 e pat dizajnuar reformën e sistemit shëndetësor të vendit dhe mandej gjatë mandatit 2011-2014 e patëm shndërruar atë reformë në një kornizë legjislative të qëndrueshme të mbështetur nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në vitin 2015 filluam me zbatu atë reformë me ndarjen e kontributeve për të punësuarit në sistemin publik, kontributeve për fondin e sigurimeve shëndetësore dhe në kulmin e shpresave se kjo reformë do të vazhdojë erdhi deri të ndërprerja e vrazhdë e asaj ndërhyrje politike të qartë dhe praktikisht reforma ngeci aty edhe ku u nis në vitin 2015”.

“Për mua kjo është një fatkeqësi e madhe që i ka goditur shoqërinë kosovare qytetarët e vendit. Unë kam qenë thellë i bindur që 10 vite pas fillimit të reformës ne do të krenohemi në Kosovë me një sistem shëndetësor më bashkohor. Një sistem shëndetësor të ndërlidhur me sistemet e sigurimeve shëndetësore të Evropës duke pasur parasysh faktin se kemi një demografi specifike, kemi mbi 700 mijë bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, shumica prej tyre të siguruar në fonde shëndetësore jashtë vendit dhe ka qenë gjithmonë ideja që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) të kontraktohet nga këto fonde të sigurimeve shëndetësore të jashtme, në mënyrë që së paku për bashkatdhetarët tanë të ofrojë shërbime në Kosovë për ta. Është dukuri shumë brengosëse dhe është prej humbjes së perspektivës së këtyre profesionistëve të sistemit shëndetësor të vendit, humbjen e besimit të tyre në këtë sistem shëndetësor, si në aspektin e zhvillimit profesional ashtu edhe në aspektin material”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe qeveria aktuale dhe MSH-ja ka vazhduar avazin e vjetër duke mos zbatuar këtë reformë e po ashtu nuk kanë zbatuar as Ligjin për shëndetësi dhe Ligjin për sigurime shëndetësore, të miratuara në vitet 2013-2014.

Agani ka theksuar se në sistemin shëndetësor e kemi një situatë kundërligjore, kjo pasi SHSKUK-ja është organizatë buxhetore dhe Fondi i sigurimeve shëndetësore është organizatë buxhetore dhe se dy organizata buxhetore nuk mund të hyjnë në raporte kontraktuale ndërmjet tyre.

“Edhe kjo qeveri, edhe kjo Ministri e Shëndetësisë e vazhdoi avazin e ministrive të tjera, pra nuk e vazhdoi reformën. Për t’u hartuar reforma është dashur për t’u zbatuar ligjet, ligji për shëndetësi dhe ligji për sigurime shëndetësore që janë edhe sot në fuqi, që janë miratuar në vitin 2013-2014. Qe 10 vite ligjet nuk zbatohen pa asnjë konsekuencë. Me moszbatimin e ligjeve është ndërprerë reforma. Kjo qeveri atë që ka bërë pozitive është se ka shtuar buxhetin për sektorin e shëndetësisë në masë financiare. Mirëpo nuk ka ndryshuar asgjë në raportin brenda sistemit shëndetësor”.

“Konkretisht reforma ka qenë e bazuar në parimin e ndarjes së blerësit të shërbimeve, që është dashur që të jetë Fondi i sigurimeve shëndetësore dhe ofruesit të shërbimeve – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Sot e kemi situatën kundërligjore, ku SHSKUK-ja është organizatë buxhetore dhe Fondi i sigurimeve shëndetësore është organizatë buxhetore. Pra dy organizata buxhetore nuk mund të hyjnë në raporte kontraktuale mes tyre. I tërë sistemi shëndetësor është i ngulfatur dhe gjendet në një gjendje të ngutisë dhe të konfuzionit”, ka thënë ai.

Ish-ministri ka theksuar se trendët e ikjes së profesionistëve shëndetësorë janë dinamike, duke shtuar se disa lëmi specifike tani vetëm kanë mungesa. Ai tha se në ikje e tyre do të ketë ndikim edhe liberalizimi i vizave.

“Trendët janë shumë dinamike dhe brengosëse, rreziku gjithmonë ekziston një masë e madhe e popullatës është duke dalë jashtë vendit. Por natyrisht vendi, qytetarët e vet kanë nevojë për shërbime shëndetësore dhe me këtë trend është shumë e mundur që brenda disa viteve edhe mund të kemi një mungesë serioze të profesionistëve shëndetësorë në vend. Kjo veç po shihet në disa lëmi specialistike, konkretisht në lëmi e anesteziologjisë. Liberalizimi i vizave i ka lehtësuar disa kontakte të profesionistëve shëndetësorë me institucionet shëndetësorejashtë vendit dhe natyrisht se kjo do të stimuloj dukshëm në periudhën e ardhshme posaçërisht pas qershorit, do të e shpjegoj këtë fluks”, ka thënë ai.

Të ngjashme