Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore me shumë mungesa e parregullsi

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPM) ka mungesa të theksuara të stafit të specializuar dhe ka tejzgjatje të procedurave të parapara me ligj për licencim të produkteve, janë disa nga gjetjet e shumta nga monitorimi i zbatimit të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Mjekësore nga deputetët anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Raporti i monitorimit të enjten ka marrë aprovimin e anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe është përcjellë për seancë të Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.

“AKPM-ja nuk ka fare bashkëpunim me AVUK-un sa i përket kontrollit të produkteve farmaceutike veterinere. Sektori farmaceutik privat ka pengesa në punë, sidomos sektori prodhues, dhe nuk ka gatishmëri për bashkëpunim dhe përkrahje nga institucionet përkatëse”, thuhet në raportin e grupit punues të komisionit.

Gjetjet e raportit tregojnë se ka moskoordinim në mes të institucioneve kontrolluese, si inspektorateve dhe institucioneve të tjera që iu paraqesin vështirësi në operim farmacive private.

“Sektori farmaceutik në institucionet publike përcillet me vështirësi në punë, ka mungesë të hapësirave adekuate për ruajtjen e barnave dhe nuk ka sistem informativ të shpërndarjes së tyre. Edhe çmimi i barnave është i parregulluar dhe ato jepen pa receta të mjekut”, thuhet në raport.

Të ngjashme