AGK-ja e përkrah bojkotin e sotëm të gazetarëve ndaj Qeverisë

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarët të Kosovës (AGK) ka përkrahur bojkotin e gazetarëve ndaj Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Gazetarët e akredituar në Qeverinë e Kosovës e bojkotuan sot konferencën e paraparë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në shenjë pakënaqësie me “vonesat e vazhdueshme” të ministrave të kabinetit qeveritar.

AGK-ja, gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve.

“Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. Gazetarët kanë pritur më shumë se 40 minuta për paraqitjen e dy ministrave të Qeverisë, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci. AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat. AGK-ja, gjithashtu i kërkon Qeverisë respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve. Qeveria duhet ta vendosë interesin publik në rend të parë, duke pranuar pyetjet e gazetarëve për vendimet që ajo i merr”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme