Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shënuar 5-vjetorin e themelimit, respektivisht 15-vjetorin e krijimit të autoritetit për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë shënuese u vlerësuan arritjet e institucionit në forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale, rritjen e transparencës dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se transparenca dhe privatësia janë dy shtylla të domosdoshme të një shteti demokratik, ndërsa vlerësoi punën e Agjencisë gjatë pesë viteve të fundit.
“Një shtet demokratik e trajton transparencën dhe privatësinë si dy garanci të pashmangshme. Ngase njëra e bën pushtetin të dukshëm, ndërsa tjetra e mbron qytetarin nga ndërhyrja e panevojshme në jetën e tij. Dhe gjatë këtyre pesë viteve, agjencia ka konsoliduar funksionimin e saj si autoritet i pavarur mbikëqyrës. Ka krijuar mekanizma për trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Vetëm gjatë vitit 2025, agjencia ka pranuar mbi 1 mijë kërkesa, ka kryer qindra inspektime”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se AIP-ja ka arritur të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
“Brenda një periudhe të shkurtër agjencia ka arritur të vendosë Kosovën në rrjete të rëndësishme ndërkombëtare të privatësisë. Pjesëmarrja si vëzhguese në Bordin Evropian, si dhe përfaqësimi në Asamblenë Globale të Privatësisë, janë hapa të rëndësishëm për praninë profesionale dhe institucionale të Republikës sonë në këtë fushë”, tha ajo.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dërmaku, foli për rrugëtimin e institucionit që nga themelimi, duke veçuar aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e institucioneve publike dhe sektorit privat.
“Rrugëtimi ynë nisi me informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe fushata e parë u realizua në rrugë me qytetarë. Ngritja e kapaciteteve ishte njëra prej objektivave që realizohej dhe rezultonte me mijëra pjesëmarrës profesionistë, duke filluar nga sektori i drejtësisë ku trajnuam shumë gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë policorë, të Shërbimit Korrektues. Filluam me ministrat, kryetarët e komunave, udhëheqësit e institucioneve të pavarura, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e deri te zyrtarët e arkivës për të siguruar që llogaridhënia institucionale nuk do të mbetej peng i mosnjohjes me detyrimet ligjore. Me rol po aq të rëndësishëm, sektori privat ishte në qendër të aktiviteteve tona informuese, karshi përmbushjes së obligimeve ligjore. Si kontrollues të veçantë të të dhënave personale, kompanitë e teknologjisë informative, start-up-et dhe kompanitë e telekomunikimit ishin pjesë e pandashme e aktiviteteve tona të ndërgjegjësimit. Shëndetësia, si një prej sektorëve që ruan të dhëna të ndjeshme, ishte fokusi ynë për të ngritur kapacitetet”, tha ajo.
Zëvendëskryesuesi i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtori i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Zdravko Vukić, vlerësoi përparimin e Kosovës në përafrimin me standardet evropiane.
“Nga perspektiva e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, ne e vlerësojmë shumë angazhimin e autoritetit të Kosovës për mbrojtjen e të dhënave në përafrimin e punës së tij me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Statusi i vëzhguesit që gëzon Kosova në kuadër të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave është një njohje e rëndësishme e këtyre përpjekjeve dhe ofron një platformë të vlefshme për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim të ekspertizës”, tha ai.
Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për rrugën evropiane të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në procesin e integrimit.
“Si përfaqësues i Kroacisë, një vend që ka përfunduar me sukses rrugëtimin e vet të integrimit evropian, dëshiroj gjithashtu të shpreh mbështetjen time të sinqertë për aspiratat evropiane të Kosovës. Rruga drejt integrimit evropian kërkon vendosmëri, reforma dhe përafrim të vazhdueshëm me standardet dhe vlerat evropiane. Fusha e mbrojtjes së të dhënave është një pjesë e rëndësishme e këtij procesi, pasi ajo pasqyron një përkushtim më të gjerë ndaj të drejtave themelore, qeverisjes së mirë dhe institucioneve demokratike”, tha ai.

