Aleanca Kosova e Re (AKR) në konferencën e dytë të saj rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhor u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë orët e mbetura për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese.
Zëdhënësja e shtabit zgjedhor të AKR, Fitore Ajeti, tha se AKR-ja vlerëson ditën e sotshme si një ditë të rëndësishme të ardhmes së vendit dhe demokracisë, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka folur për një varg shkeljesh që po bëhen gjatë procesit zgjedhor.
“Sipas raportimeve dhe burimeve të sakta që kemi nga terreni deri në këto momente kemi pasur parregullsi të tjera gjatë procesit zgjedhor. Në Mitrovicë njerëz me precedent penal po qëndrojnë të shoqëruar nga militantë të PDK-së dhe po ju bëjnë presion votuesve, po ashtu kanë vendosur baner të PDK-së afër vendvotimeve me qëllim që të ndikojnë në procesin zgjedhor”, tha ajo.
“Në shkollën ‘Gjergj Fishta’ është raportuar katër herë fotografimi i votës. Në shkollën ‘Ahmet Gashi’ dikush ka votuar në emër të dikujt tjetër. Në komunën e Lipjanit ka pasur parregullsi pasi që ka pasur persona që nuk e kanë gjetur emrin e tyre në lista të votimit”, ka thënë Ajeti.
Aleanca ju bënë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë orët e mbetura dhe të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.