Aksident mes tre kamionëve e një veture te “Qafa e Duhlës”, lëndohet një person

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Një aksident trafiku ka ndodhur paraditen e së premtes në rrugën magjistrale, në vendin e quajtur “Qafa e Duhlës”, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një automjet.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më 24 korrik 2026, rreth orës 10:00, në rrugën magjistrale, në vendin e quajtur ‘Qafa e Duhlës’, është raportuar një aksident trafiku, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, së paku një person ka pësuar lëndime trupore”, deklaroi Bytyqi.

Ai bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët po ndërmarrin veprimet e nevojshme.

“Për shkak të aksidentit dhe intervenimit të shërbimeve emergjente, qarkullimi i trafikut në këtë segment rrugor është ndërprerë në të dy drejtimet deri në një njoftim tjetër”, tha Bytyqi.

Sipas tij, Policia është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe për lirimin sa më të shpejt të rrugës për qarkullim.

Të ngjashme