Aksion kundër kontrabandës në veri: Sekuestrohen 5,550 boksa cigare dhe dy automjete

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, ka ndërmarrë një operacion në zonën kufitare të Bërnjakut pas pranimit të informatave për dyshime lidhur me kontrabandimin e mallrave.

Gjatë operacionit, zyrtarët policorë kanë lokalizuar një automjet të markës Audi me targa të huaja, i cili ishte i ndaluar dhe pa drejtues, ndërsa dyshohet se ishte përdorur për kontrabandim të mallrave. Gjatë kontrollit të një objekti dhe hapësirës përreth tij, janë gjetur dhe sekuestruar 5,550 boksa cigare të llojeve të ndryshme, si dhe 19 paketa të tjera cigaresh të dyshuara si të kontrabanduara.

Në lidhje me rastin, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Po gjatë aksionit, policia ka ndaluar edhe një kamion me targa të huaja, i cili ishte duke transportuar materiale metalike, por drejtuesi i tij nuk ka poseduar dokumentacionin përkatës për ngarkesën.

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ndërsa Dogana e Kosovës ka bërë sekuestrimin e mallrave dhe të dy automjeteve për procedura të mëtejshme. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti i është kaluar Doganës së Kosovës për trajtim të mëtejmë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me operacione të tilla në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme.

Të ngjashme